TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Shtator 2025, 10:14

PS refuzoi mocionin me debat, Bardhi: Mazhoranca ka frikë nga transparenca

Shkruar nga Pamfleti

PS refuzoi mocionin me debat, Bardhi: Mazhoranca ka frikë nga transparenca

Partia Demokratike, përmes kreut të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, ka insistuar në zhvillimin e mocionit me debat në Kuvend lidhur me programin e qeverisë, e veçanërisht në fushën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo kërkesë është shqyrtuar gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, por është refuzuar nga mazhoranca.

Bardhi theksoi se kërkesa e Grupi Parlamentar të PD-së për zhvillimin e mocionit me debat është plotësisht e ligjshme dhe e përputhshme me rregulloren e Kuvendit.

“Nuk është caktuar seanca për këtë të enjte, dhe kërkojmë që ky mocion të zhvillohet pikërisht këtë ditë,” tha ai, duke shtuar se ky debat është një mundësi e rëndësishme për të diskutuar aspiratën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Bardhi e akuzoi mazhorancën se po shmang debatin dhe transparencën lidhur me politikën e integrimit evropian.

“Mazhoranca i shmanget debatit dhe transparencës për qeverinë, duke refuzuar kërkesën për mocion,” theksoi ai, duke kërkuar që Konferenca e Kryetarëve të vendosë menjëherë për zhvillimin e këtij mocioni.

Duke iu drejtuar mazhorancës, Bardhi tha se “keni qenë ju që keni bërtitur në Kuvend se opozita nuk do debat. Sot jeni ju që po e faktoni se kush nuk do debat, kush nuk ka një bilanc për t’u përballur në debat, kush nuk ka një program të qartë për atë që e keni shpallur si prioritet, pra anëtarësimin në BE.”

Ai e cilësoi këtë refuzim të mocionit si një shenjë të frikës nga përballja me opozitën dhe mungesës së një bilanci konkret për realizimin e premtimeve.

 “Bilanci i vetëm i qeverisë është ku do të udhëtojnë për takime, kujt do t’i japin leje ndërtimi, cili është koncesioni i radhës apo cilat para do të vidhen”, tha kreu i grupit të PD-së.

Ai shtoi se këto janë prioritetet e qeverisë dhe jo procesi i integrimit evropian, për të cilin mazhoranca nuk ka një plan të qartë.

Lini një Përgjigje