TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Tetor 2025, 10:35

PS përjashtoi Bardhin nga Kuvendi, deputeti zbardh përplasjet në mbledhje: U godit një nga figurat më të forta të PD-së

Shkruar nga Pamfleti
PS përjashtoi Bardhin nga Kuvendi, deputeti zbardh përplasjet në
Deputeti demokrat Saimir Korreshi

Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka dhënë detaje nga mbledhja e Komisionit të Etikës, ku u vendos përjashtimi me 15 ditë nga punimet parlamentare të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.

Vendimi erdhi si pasojë e përplasjeve mes Bardhit dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi në seancën e fundit plenare.

“Kjo është një goditje që i bëhet njërës nga figurat kryesore të PD-së siç është kryetari i grupit parlamentar, si e si që ta dëmtojnë sa më shumë rolin e opozoitës në Kuvend”, u shpreh ndër të tjera ligjvënësi demokrat Saimir Korreshi.

Këtë të hënë Komisioni për Etikën në Kuvend ka shqyrtuar kërkesën e deputetëve të Partisë Socialiste, për përjashtimin me 30 ditë nga seancat plenare të deputetit demokrat Gazment Bardhit. Komisioni ka vendosur përjashtimin me 15 ditë.

Kujtojmë se e gjitha nisi pas seancës parlamentare të së enjtes, ku pati përplasje mes Gazment Bardhit dhe kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, ndërkohë që po raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Gazmend Gajda.

Bardhi kërkonte që çdo deputet të merrte të drejtën e fjalës dhe t’i bënte pyetje komisionerit, ndërsa Peleshi shprehej se mjaftonte që secili të dërgonte pyetjet me shkrim. Deputeti demokrat e ka konsideruar këtë njëanshmëri, dhe e ka konsideruar Peleshin “të paaftë”. Pas fjalëve të Bardhit, Peleshi mori një masë disiplinore, duke i ndaluar atij fillimisht fjalën dhe më pas duke qenë se vijuan debatet, ai mori vendimin për ta përjashtuar nga seanca e ditës.

Pas këtij debati, 14 deputetë firmosën për të kërkuar përjashtimin e Bardhit me 30 ditë. Kjo pasi sipas tyre, demokrati kishte thyer në mënyrë të përsëritur rregulloren e Kuvendit, duke ofenduar kryeparlamentarin dhe duke krijuar kaos në sallë me ndërhyrjet dhe tonet e larta.

ps përjashton bardhi

Lini një Përgjigje