Java e fundit e janarit duket se do të shënojë nisjen e një aksioni opozitar për rrëzimin e Edi Ramës si Kryeministër. Një tryezë me aktorë nga shoqëria civile, aleatë dhe drejtues të organizatave, me synim krijimin e një fronti opozitar, është konkluduar me zhvillimin e protestave të qëndrueshme, pra jo formatin e protestave të mbajtura deri më tani, me kohëzgjatje të limituar.
Skenari që do të aplikohet duket se do të jetë ai i protestave të qëndrueshme dhe të vazhdueshme.
Kjo u deklarua nga kreu demokrat, Sali Berisha, i cili tha se do të jetë Kryesia e PD-së që do të përcaktojë jo vetëm datën se kur do të nisë aksioni opozitar, por edhe forma që do të aplikohet.
Gjithsesi Berisha pohoi se do të ngrihen edhe çadra, çka do të thotë se demokratët e drejtuar prej tij po përgatitet për protesta afatgjatë, deri në rrëzimin e Qeverisë.
“Protestat të jeni të sigurtë që do të nisin. Protesta të vazhdueshme do të thotë që sheshi të mbushet çdo ditë. Do përcaktohet se cila do të jetë forma. Do ngrihen çadra, do ngrihen. Do jenë të gjitha format”, tha Berisha.
Nuk dihet nëse çadrat që Berisha njoftoi se do të ngrihen do të jetë e ngjashme me atë të aplikuar nga Lulzim Basha në 2017-ën, por ajo që paralajmërohet është se mes opozitës së drejtuar nga PD dhe Qeverisë mund të shkohet drejt një përplasjeje.
Madje për kreun demokrat tashmë nuk ka më asnjë rëndësi raporti që do të kenë demokratët me Parlamentin. Megjithëse nuk ka asnjë shans që të përsërisë skenarin për djegie mandatesh, që rezultoi një lëvizje që “përvëloi” PD-në e Lulzim Bashës, sot demokratët e Berishës po analizojnë skenarë të tjerë, përfshi edhe grevën e urisë së deputetëve.
Pavarësisht se është një skenar që e ka aplikuar Edi Rama kur ishte në opozitë, pas zgjedhjeve të 2009 me moton “hap kutitë ose largohu”, duket se ai është një opsion që do të aplikohet, jo më në bulevard, por në mjediset e Kuvendit. Një grevë të tillë urie aplikoi Pjetër Arbnori në 1997-1998, që u mbyll me miratimin e disa amendamenve që u propozuan në atë kohë nga deputeti demokrat lidhur TVSH-në.
“Parlamenti është asgjësuar. Kur Parlamenti nuk mblidhet për të hequr imunitetin dhe shkel Kushtetutë, shkel çdo gjë, Edi Rama e ka aneksuar parlamentin, e ka asgjësuar parlamentin.
Shkuarja apo mosshkuarja jonë është krejtësisht e parëndësi. Parlamenti nuk është më një institucion themelor i demokracisë, është një vegël në duart e Edi Ramës. Kjo është e faktuar tani”, tha Berisha.
Largohu "gerdalle"! Lere te lire "PD"! Me ty ne krye eshte ne "koma letargjike". Duket sikur do ta terheqesh me vete ne "varr".