TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Janar 2026, 16:14

Tryeza me Berishën, Ermal Hasimja: Problemi i opozitës, mungesa e besueshmërisë

Shkruar nga Pamfleti
Tryeza me Berishën, Ermal Hasimja: Problemi i opozitës, mungesa e
Tryeza e thirrur nga Berisha

Përfaqësues nga shoqëria civile, drejtues të organizatave të ndryshme, si dhe kryetarë të disa prej partive, në aleancë me PD-në, iu përgjigjën sot pozitivisht një ftese nga kreu demokrat, Sali Berisha, për krijimin e një fronti opozitar, kundër atij që e konsideron si “regjimi i Edi Ramës”.

Në tryezë janë hedhur ide të ndryshme, ku nuk kanë munguar kritikat në drejtim të lidershipit të PD-së.

Politologu Ermal Hasimja, dikur një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Berishës, duke marrë fjalën në tryezë, tha se problemi kryesor i opozitës së sotme nuk lidhet me programin apo retorikën politike, por me mungesën e besueshmërisë te qytetarët.

“Problemi kryesor që ka sot opozita, jo thjesht PD, është besueshmëria. Nëse në çdo vend evropian normal me demokraci sot, do të mjaftonte jo një opozitë e shkëlqyer, por thjesht një normale, që regjime të këtij lloji të fshiheshin jo vetëm nga pushteti, por edhe nga historia”, u shpreh Hasimja.

Në vijim ai theksoi se opozita nuk e ka luksin të krijojë përçarje të brendshme, sikundër duhet një bashkëpunim konkret mes partive opozitare.

“PD nuk ka nevojë ta lejojë veten që të shfaqet bashkëpunuese me PS për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në kurriz të partive të vogla dhe më pas t’i ftojë këto parti për bashkëpunim kundër qeverisë”, theksoi ai.

Referuar zgjedhjeve të fundit, pra parlamentare të 11 majit, politologu tha se votat e partive të reja, janë kryesisht votat e të majtëve të zhgënjyer që nuk do të kalonin kurrë automatikisht te e djathta. Në këtë kuadër, ai theksoi se aleanca e PD me këto parti është e domosdoshme.

“Nga rreth 150 mijë votat që kanë marrë partitë e vogla, janë vota që nuk do të shkonin kurrë te e djathta. Pikërisht për këtë arsye, këto vota janë të nevojshme”, u shpreh ai.

berisha tryeza opozita

Lini një Përgjigje