Lëvizja “Shqipëria Bëhet” po mban një protestë të fuqishme para Kryeministrisë në Tiranë, në ditën e 28-të të qëndresës kundër qeverisë.
Me pankarta dhe thirrje për ndryshim, qindra qytetarë i janë bashkuar thirrjes për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndaljen e asaj që protestuesit e cilësojnë si një regjim të korruptuar.
Në skenën e protestës ka folur aktori Genti Kame, i cili iu drejtua shtresave të ndryshme të shoqërisë me një apel të fortë: “Ngrihuni”.
Më pas foli kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, akuzoi qeverinë për mashtrime dhe dështim të plotë. Ai përmendi dhe aksionin e SHBA në Venezuelë.
"Sot jemi në ditën e 28-të të qëndresës qytetare përballë hajdutërisë! Sot bota është me ne, se matanë oqeanit një diktator ra, këtej oqeanit një autokrat na ka përballë! Miq, vëllezër, nëna, motra, të rinj, gjyshër, prindër! Kjo është një përballje, në të cilën na futët dhe ne besojmë, sikur ju të gjithë, se kjo është një rrugë e drejtë! Jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të na sjellë ujë. A kemi ujë sot, po apo jo? Jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të vendosur rend e ligj. A kemi sot rend e ligj, po apo jo? Jemi përballë atij që erdhi për ta shpërbërë modelin e oligarkisë së Sali Berishës. Kemi sot një oligarki të shpërbërë, po apo jo? Jemi sot përballë atij që erdhi për të luftuar krimin dhe drogën. A kemi sot drogë, po apo jo?", tha ai.
Lini një Përgjigje