Protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike vijon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, me pjesëmarrje të madhe qytetare dhe praninë e figurave publike që po i japin më shumë peshë dhe simbolikë politike tubimit. Nën masa të rrepta sigurie, qytetarët po shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Përveç protestuesve të zakonshëm, në shesh janë të pranishëm edhe figura që përfaqësojnë zëra të fortë në jetën publike dhe politike. Aktori Florjan Binaj, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj qeverisë dhe për angazhimin qytetar në mbrojtje të çështjeve publike, është parë mes turmës, duke dhënë një mesazh të qartë për solidaritet dhe mobilizim qytetar kundër padrejtësive.
Një tjetër prani e rëndësishme është ajo e deputetit Ervin Salianji, i cili ka ndërmarrë së fundmi një lëvizje të brendshme në PD, duke kërkuar reformimin e partisë dhe një qasje më të hapur me shoqërinë. Krah tij është shfaqur edhe Ilir Vrenozi, një prej figurave më të njohura dhe të zëshme të bazës së djathtë, i cili gëzon mbështetje të gjerë për shkak të qëndrimeve të tij të palëkundura opozitare.

Protesta deri tani po zhvillohet pa incidente, ndërkohë që në terren ndodhen 1350 efektivë të Policisë së Shtetit. Organizatorët theksojnë se protesta nuk është thjesht një akt simbolik, por një hap i parë drejt një përballjeje të re politike, brenda dhe jashtë opozitës.
Lini një Përgjigje