
Mbështetës të opozitës dhe qytetarë janë mbledhur para Bashkisë së Shkodrës dhe kanë marshuar përgjatë pedonales.
Opozita ka zhvendosur në Shkodër protestat. Ndryshe nga “mosbindjet civile”, këtë herë po mbahet një marshim protestë kundër krimit.
Tubimi vjen pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në fillim të kësaj jave, ku u vranë 3 persona, mes të cilëve dhe të pafajshëm.
Si pasojë e të shtënave humbën jetën Arlind Bushati dhe Hamza Lici. Ndërkohë bashkëshorti i qytetares Flutura Basha, që humbi jetën, Bashkim Basha, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Mbështetës të opozitës dhe qytetarë janë mbledhur para Bashkisë së Shkodrës dhe më pas marshuan përgjatë pedonales duke mbajtur një banderolë me shkrimin: “Qytetërimi është më i fortë se krimi. Po na vrasin duhet reagim”.
Protestës i janë bashkuar deputetët e PD-së si Luçiano Boçi, Dhurata Çuli, Edmond Spaho, Ramadan Lika, Lindita Metaliaj, Gazment Bardhi etj.
“Shkodra duhet të shprehë revoltën, zemërimin, nuk ka kohë për të heshtur, për t’iu bindur. Duhet një mosbindje civile dhe politike”, tha Luçiano Boçi.
Ndërsa Gazment Bardhi tha se çdo qytetar duhet të shprehë mosdakordësinë e tij ndaj pushtetit që ka marrë krimi i organizuar.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se kjo në Shkodër është më evidente për shkak edhe të lidhjeve mes krimit dhe politikës.
“Ngjarja që ndodhi pak ditë më parë krijon terror. Sot jemi në një tubim paqësor për të kundërshtuar pushtetin që krimi i organizuar të marrë, jo vetëm në Shkodër, por kudo në Shqipëri. Secili prej nesh duhet të protestojë”, tha Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, tha se çdo vrasje në Shkodër ka prapavijë politike.
"Shkodra është nën kthetrat e krimit shtetëror. Çdo vrasje që bëhet në Shkodër ka një prapavijë politike, e gjitha bëhet për të spastruar rrugën që nesër në krye të listës të vijë Edi Rama. Siç ishte mandatin e kaluar në krye të listës së Durrësit dhe gjithë listë e Durrësit ja përcaktoi krimi i organizuar, këtë skenar përpiqet ta sjellë në Shkodër. Pra gjithçka këtu është në territorin e krimit politik të Rilindjes. Sot Partia Demokratike dhe opozita ka organizuar këtë marshim, marshim proteste kundër krimit politik", u shpreh Noka.
Gjithçka ndodhi pasditen e së mërkurës në Dobraç të Shkodrës, ku në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, të paktën një automjet i ka prerë rrugën një “Mercedes”-i duke qëllua me breshëri kallashnikovi mbi të. Viktimat janë Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes, Arlind Bushati i cili ndërroi jetë në spital dhe Flutura Basha, e cila ishte një kalimtare e rastit në atë rrugë, teksa ndodhej me bashkëshortin e saj në një motor.
Ndërkohë, ky i fundit, identifikuar si Bashkim Basha është plagosuri rëndë.
Në makinën e viktimava shofer ka qenë Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha.
Lini një Përgjigje