Ish-kryeministri dhe ish-kreu i Partisë Socialiste ka ndërruar jetë në një spital privat...
Ish-kryeministri Fatos Nano është ndarë sot nga jeta. Prej disa ditësh ai ishte i shtruar në një spital privat në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Por pavarësisht luftës së madhe për ta mbajtur në jetë, ai nuk ja ka dalë dot. Vetë spitali më herët njoftoi se ai ka pasur një arrest kardiorespirator.
Kush ishte Fatos Nano?
Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë.
Mbaroi gjimnazin Sami Frashëri në Tiranë. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës (Fakulteti i Ekonomisë). Në vitin 1975 kreu specializimet për Ekonomi Politike.
Në vitin 1983 me vendimin nr.81, 23 shtator 1983 të Universitetit të Tiranës merr titullin "Doktor i Shkencave" ne fushën e ekonomisë, ndërsa në vitin 2000 titullin "Profesor Doktor" në fushën e ekonomisë.
Nga Universiteti Ndërkombëtar i Milanos (Itali) në vitin 2000 dekorohet me titullin "Doktor Honoris Causa" - në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit "Doktor Honoris Causa" - në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
Ai filloi karrierën e tij politike ne vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizonte zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatisë vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik.
Zgjedhjet në 31 Mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të japë dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Në Mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit me pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata. Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë post komuniste, sepse ishte e gjitha politike.
Gjatë vitit 1994 skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Berisha dha dorëheqjen dhe Kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin.
Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon. Në shator të vitit 1998 forcat e policisë së Tropojës vranë në një atentat udhëheqësin e lëvizjes studentore antikomuniste Azem Hajdari. Kjo çoi në një revoltë popullore dhe meqenëse u krye nga një segment i shtetit, e detyroi Fatos Nanon të japë dorëheqjen. Fatos Nano u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.
Partia Socialiste vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet në qershor 2001. Nano u bë Kryeministër për të tretën herë në korrik, 2002 i emëruar nga presidenti Alfred Moisiu. Në 3 korrik 2005 Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në parlament. Partia Demokratike fitoi shumicën dhe kryetari i saj Sali Berisha u emërua Kryeministër i qeverisë së re. Më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste.
Lini një Përgjigje