
Në seancën parlamentare të datës 23 shtator 2015, Berisha deklaronte krejt të kundërtën e asaj sot. Berisha në mes të Parlamentit sulmonte Metën dhe i kërkonte atij dorëheqjen.
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka ngrënë “turpin me bukë” sa i takon aferës CEZ-DIA. Sot ai u pyet për thirrjen e Ilir Metës në SPAK dhe mori në mbrojtje aleatin e tij duke sulmuar prokurorinë.
Normalisht qëndrimi i tij kuptohet se janë të dy të zhytur në këtë skandal, por Berisha tregoi edhe një herë se politika nuk ka turp dhe moral. Në vitin 2015, vit kur dhe plasi skandali, Berisha dhe PD bënë një luftë të fortë kundër Metës. Ata kërkuan disa herë dorëheqjen dhe nxjerrjen e tij para drejtësisë.
Berisha tha sot: “SKAP-i partisë është seksioni juridik i PS. Këtë nuk ka njeri që nuk e ka marrë vesh deri më sot. Është kryer një veprimtari e paparë në shekuj, mafioze nga Edi Rama, këshilltari i tij personal Dorian Duçka dhe nga miku i tij Agron Neza. Një nga ata prokurorë për ti hapur çështjen dhe për ti vendosur hekurat në duar Edi Ramës. Enver Hoxha po të ngrihej nga varri do ta shpallte heroin e popullit shqiptar”.
Por në seancën parlamentare të datës 23 shtator 2015, ai deklaronte krejt të kundërtën. Berisha në mes të Parlamenti sulmonte Metën dhe i kërkonte atij dorëheqjen. “Ndaj, unë kërkoj këtu, duke mbështetur plotësisht kërkesën e mëparshme për dorëheqjen dhe kalimin për hetim të zotit Meta, hetim ndërkombëtar për çështjen e CEZ-it”, shprehej Berisha.

Në të njëjtën linjë me të ishin dhe bashkëpunëtorët e tije dhe sot. Një ndër ta ishte Keltis Kruja, i cili po ashtu kërkonte dorëheqjen e Metës. “Edi Rama dhe Ilir Meta janë sot nën akuzë për grabitjen e qindra milionë eurove në aferat tashmë të njohura të CEZ-it, por çmimi i energjisë për shqiptarët rritet dhe sigurisht, kush nuk ka mundësi ta paguajë, e dini vetë se çfarë i ndodh. Shyqyr që kemi hequr dënimin me vdekje”, shprehej ai.
Në të njëjtën linjë ishte dhe Arben Ristani: “Sot Rama dhe Meta, që drejtojnë këtë maxhorancë, kanë goditur në themelet e veta organizimin demokratik të Shqipërisë duke dërrmuar standardet zgjedhore, duke kthyer Shqipërinë së paku 10 vjet pas. Këta oligarkë pikërisht për shkak të babëzisë së tyre përdorin pushtetin për të bërë para dhe paratë për të ndenjur në pushtet”.
Po ashtu opozita e asaj kohe akuzonte Metën se Kastriot Ismailaj pastronte paratë e tij. Në atë kohë Berisha vijonte ende të drejtonte PD, pavarësisht se kishte emëruar Bashën.
Fjalimi i Berishës në Kuvend (23 shtator 2015)
Zonja deputete, zotërinj deputetë, zonja kryesuese e seancës
Të dashur qytetarë dhe qytetare, Duke mbështetur plotësisht dhe fuqimisht çdo përpjekje për zbatimin e ligjit, dënoj me ashpërsinë më të madhe fushatën banditeske të ndërmarrë ndaj bizneseve, e cila po mbyll çdo ditë me dhjetëra dhe qindra biznese dhe bazohet në diferencimin klasor. Kjo nuk është fushatë formalizimi, por është fushatë diferencimi, që më rikujton terroret e pushtuesve mbi popullatat shqiptare jashtë Shqipërisë. Nuk është fushatë formalizimi, kjo që atij me një qemane i kërkon të presë faturën, kurse tjetri, që bën dhjetëra milionë xhiro në ditë, funksionon krejt pa faturë, sepse rri në krah të pushtetit dhe të Kryeministrit. Nuk është fushatë, por është një taksë e jashtëzakonshme në shembullin e etërve tuaj. Nuk është fushatë, sepse vutë gjobën elektronike, gjoja rastësisht, por ai është program dhe nuk është rastësi. Bëtë gjithçka që t’u merrnit një gjobë ekstra mbi 90% të bizneseve dhe tani që u kapët si hajduti me presh në duar, thoni se ishte gabim programi. Këto qëndrime armiqësore dhe klasiste ndaj biznesit kanë pasoja katastrofale për ekonominë shqiptare. Unë jam sot këtu për të denoncuar faktin se Shqipëria në asnjë qelizë të saj, në asnjë skaj të saj, në asnjë vend nuk qeveriset dhe nuk udhëhiqet më nga ligji. Shqipëria sundohet kryekëput dhe tërësisht nga banditizmi. E kam thënë edhe këtu para dy seancash se një aferë e madhe, më e madhja në historinë 23- vjeçare të Shqipërisë, e korrupsionit të CEZ-it, ka shpërthyer. Një aferë e tmerrshme me të cilën kjo maxhorancë gjobiti çdo shqiptar në marrëveshjen që firmosi me CEZ-in, 1200 euro për çdo shqiptar. Është një marrëveshje, e cila shkel çdo parim të mbrojtjes së interesit kombëtar, një marrëveshje, e cila është denoncuar nga avokatët më të mëdhenj të Europës si marrëveshje korruptive, një marrëveshje, e cila bëri që llogaritë me fatura prej 800 milionë eurosh t’i falen CEZ-it kundrejt 200 milionë eurosh që i kishin borxh atij institucionet shqiptare. Pra, nga 1 miliardë, 200 milionë ishin borxh ndaj CEZ-it, 800 milionë nga faturat e CEZ-it ndaj qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare, doganave shqiptare, sipërmarrjeve shqiptare, tatimeve shqiptare, një marrëveshje në kulisa në mungesë të plotë transparence. Firmosët me një klauzolë, e cila nuk ka ligj në botë që ta ketë dhe ta përmbajë, me një klauzolë kryekëput antishqiptare, me një klauzolë kryekëput antikushtetuese, klauzolë, që nxjerr jashtë, i jep imunitet absolut çdo lloj krimi të shëmtuar që është kryer me këtë marrëveshje, të gjithë atyre që e firmosën dhe atyre që e hartuan. Ne e kemi ngritur këtë çështje me dhjetëra herë, sërish e ngremë dhe do ta ngremë me dhjetëra herë. Nuk do të lodhemi kurrë së mbrojturi interesin kombëtar, interesin individual të shqiptarëve dhe interesin publik të tyre. Çfarë ka ndodhur? Dy javë më parë mediet botuan seancën e arbitrazhit në Vjenë, të kompanisë së avokatisë, që është gjiganti i botës, Clifford & Changes. Pse u mor ajo, doni të dini ju? Ajo u mor, sepse edhe CEZ-i ishte gjiganti i Europës, ishte 1 nga 5 gjigantët e Europës në energji. Ne kontraktuam kompaninë më të fuqishme për t’u përballur në mënyrën më të sigurt me CEZ-in dhe dëmin e tmerrshëm që i krijoi ekonomisë shqiptare. Refuzuam në mënyrë kategorike zgjidhjen me negociata dhe kërkuam zgjidhjen me arbitrazh. Në të njëjtën kohe avokatë të famshëm na garantuan se çështja do të fitohet. U gris çdo gjë dhe në kulisa duke shkëmbyer shuma marramendëse u kalua në marrëveshjen që firmosi parlamenti. Po në këtë seancë arbitrazhi, çfarë del? Del se njëra nga kompanitë e kontraktuara nga CEZ-i për të vjelë borxhet, vilte dhe ndante me CEZ-in paratë e borxhit. Njëra doli në Vjenë, janë 6 ose 7 të dërguara në prokurori, të gjitha gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme. Disa prej tyre janë të vërtetuara për larje parash me shuma marramendëse, për vjedhje parash. Clifford & Changes deklaron aty se ka pasur korrupsion, një pjesë e parave kanë kaluar për një zyrtar të lartë të ERE-s dhe një pjesë, natyrisht më e madhe, për një ish-kryeministër në afera këto-këto. Nuk do të përmend emra, por emrat dihen.
Çfarë del tjetër? Del se, ish-drejtori i parë i CEZ-it në Shqipëri, Hajsek, deklaron “ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka ardhur në Pragë dhe ka negociuar me mua për Kastriot Ismailaj”. Të gjitha këto kërkojnë hetim në mënyrën më serioze. Kërkuam hetim për Ilir Metën. Nuk themi asgjë, sepse i besojmë hetimit që duhet të bëhet.
Çfarë ndodhi? Edi Rama e kapi menjëherë, pasi i kishte nxjerrë vetë të gjitha këto, absolutisht, pasi ia kishte dhënë vetë Clifford & Chance-s të gjitha të dhënat, përfshirë dëshmitë, përfshi edhe investigimin e agjencive të lëvizjes së transaksioneve, dhe thotë: “Tani jemi 1 me 1. Unë kam firmosur marrëveshjen, ti je i përzier me DIA-n. Tani të sulmojmë Berishën, se kështu e zgjidhim”. Është kështu? Çfarë ka ndodhur ndërkohë? Dëgjojeni, sepse është shumë interesante. Dëshmitarit më të çmuar i mbrojtur nga drejtësia, vetëm në shtetin e bandave mund të bëhet kjo dhe kurrë në një shtet nuk mund t’i shkojë asnjë njeri, as Presidenti i Republikës, as Kryeministri i vendit, as Kryetari i parlamentit, as ministri i Brendshëm; atij mund t’i shkojë vetëm prokurori i çështjeve në përputhje me procedurën, edhe ai, jo vetëm. Vendndodhjen e tij nuk mund ta di kurrë asnjë njeri, as ministri, as Kryeministri, as Presidenti. Sekretet e drejtësisë nuk janë sekrete të administratës publike, dëshmitari ka garanci të plotë për këtë. Çfarë ndodh? Atij i dërgohet xhelati. Kush ishte xhelati? Kësaj here nuk ishte Tahiri, që iu dërgua Bamit, nuk ishte Sajmir Shullazi. Jo, kësaj here u zgjodh një jurist, i cili i çoi mesazhin e kokës, kërcënimin me jetë që të tërhiqet, një njeriu që ka vënë veten, ka vënë gjithë qenien e tij, të gjithë jetën e tij, të gjithë familjen e tij, në funksion të interesit publik. I dërgohet një xhelat në banesën ku është dhe i thuhet: “Qepe, se përndryshe të likuidojmë”! Ky nuk është shtet, ky është antishtet, ky është shteti i bandave.
Të njëjtën gjë i bëtë ju njeriut, për të cilin njoftuat shqiptarët se ka vrarë me tritol 27 vetë, dhe ai ju denoncoi. Pse? Sepse është e përcaktuar, që porositësi i vrasjes duhet të shpëtojë me çdo kusht. Të njëjtën gjë i bëtë dëshmitarit të bandës së Lushnjes, që denoncoi Aldo Baren. Të njëjtën gjë i bëtë edhe punonjësit të DIA-s, i cili mori përsipër të zbërthejë krimin e kryer nga kjo kompani e lidhur me drejtues. Atëherë çfarë mbetet këtu për shtet?
Më tutje, dhe përsëri këtë aferë kriminale Edi Rama e përdor tërësisht për luftë të brendshme në maxhorancë. A doni t’ju them një të dhënë të fundit? “I miri i gjyshes”, është një nga këta të quajturit “analistë”, që, njësoj si Edi ka kultin e gjyshes, u thirr dje për dy orë nga Edi Rama, i cili kishte vetëm një detyrë: të thoshte që fajin e ka Berisha dhe Meta. Kaq kishte ai për detyrë, të përsëriste si papagall, që ata të dy janë të përfshirë, paçka se unë nuk kisha asgjë mbi tokë.
(Ndërhyrje pa mikrofon).
Prit, do të dal aty ku do të dal. Pra, “i miri i gjyshes” ishte kunguar. Jo, e ka ai, se Edi Rama është bos famoz, sepse në çdo tavolinë thotë: “gjyshja më ka thënë kështu, gjyshja më ka thënë ashtu, gjyshja kjo, gjyshja ajo”, dhe e bën se ka kompleksin e bllokmenit, i duhet ta bëjë këtë për të thënë se gjyshja i ka punuar në pallatin mbretëror dhe mendon se kështu e heq atë xhyben e bllokmenit dhe kalon në një xhybe ruajale, mbretërore. Guvernante ka qenë! Ka qenë një grua shumë e mirë! Po ky vetëm atë përmend. Edhe ky tjetri, i miri i gjyshes, u bashkuan te gjyshet, që janë antipod të njëra- tjetrës, për të thënë që Rama s’ka punë këtu, por e kanë këta. Çfarë kërkoj unë këtu? Ky shtet ka marrë fund! Ky shtet që sillet kështu me dëshmitarë të mbrojtur, s’mund të ketë drejtësi, s’mund të ketë gjykime, s’mund të ketë hetime. Një shtet që sillet në këtë mënyrë është i dominuar nga bandat.
Ndaj, unë kërkoj këtu, duke mbështetur plotësisht kërkesën e mëparshme për dorëheqjen dhe kalimin për hetim të zotit Meta, hetim ndërkombëtar për çështjen e CEZ-it. Unë mendoj se duhet të ulemi qetë dhe ta marrim pa pasion.
Çfarë keni ju? Pjesa dërrmuese juaja s’ka asnjë lidhje me atë çështje. Hetimi i asaj çështjeje është interesi më jetik i atyre që kanë votuar për ju. Hetimi nuk vjen te ju. Është një grup drejtuesish kryesorë të vendit, që do të hetohen dhe unë e konsideroj jetik hetimin. Atëherë, bëhuni një herë më në fund të lidhur me zgjedhësit tuaj; vini një herë në jetën tuaj interesat e zgjedhësve tuaj dhe jo të Edi Ramës, jo të pushtetit të tij dhe të hajnave të tij. Ne kemi eksperiencë me hetimet ndërkombëtare dhe hetimi ndërkombëtar në atë rast dha një përgjigje! Jo më të plotën, por e dha një përgjigje. Nuk mund të thotë askush që nuk e dha. Atëherë, urdhëroni, të ndërmarrim një hetim ndërkombëtar! Nuk ka çështje më të tmerrshme se kjo, nuk ka gjë më të dhimbshme. Këto ditë po lexoja se KESH-i është 250 milionë dollarë minus, që të gjitha vjedhje të CEZ-it, që të gjitha fatura të CEZ-it, të gjitha. Por CEZ-it ia mbylli Edi Rama. Po sa borxh i ka OST-së? Sa borxh u ka Tatimeve dhe Doganave? Ua mbylli Edi Rama! Sa u ka të gjithave së bashku? 1 miliard dollarë, sipas kompanive ndërkombëtare më serioze, ku 200 milionë i kemi CEZ-it, me fatura. Iu falën 800 milionë. Nuk ka fatkeqësi më të madhe në botë se avokati atyre që nuk mbrojnë dot veten, por ia mbathin. E kam konstatuar, ky është robotik, ky është avokati robotik. Nuk po përdor fjalë tjetër. Robotik! Ndaj, të miratojmë një ligj. Të thërrasim hetimin ndërkombëtar që t’i hetojë të gjitha, pa asnjë kufizim. Unë ju siguroj ju se çdo qytetar shqiptar do të fitojë në xhepin e tij, personalisht, 1200 euro, më së paku. Ju siguroj se, jo vetëm që nuk do të rritet çmimi energjisë, por do të ulet dhe jo nga ky nivel, por nga niveli që u rrit çmimi energjisë. Ju siguroj se pa hetimin ndërkombëtar, paqja dhe stabiliteti në këtë vend nuk do vendosen. /Pamfleti
Lini një Përgjigje