TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Tetor 2023, 07:47

“Procesi i Berlinit” në Tiranë, pazari me Ramën për “Ballkanin e Hapur”

Shkruar nga Pamfleti
“Procesi i Berlinit” në Tiranë, pazari me Ramën
Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Leyen ne konferencë për mediat

Deri pak vite më parë, kryeministri i Shqipërisë ishte në një situatë për të ardhur keq në raport me Brukselin. Loja e Brukselit me hapjen apo mbylljen e negociatave e ka frustruar Edi Ramën deri në pikën që e bëri qesharak.

Edi Rama po merr nga Brukseli një dhuratë që do ia ka zili çdo politikan tjetër i Ballkanit Perëndimor. Është hera e parë që një Samit i Procesit të Berlinit del nga kufijtë e Bashkimit Europian dhe zhvendoset në Tiranë, ku do të mblidhen bashkë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kancelari gjerman Olaf Sholc dhe pas takimit, presidenti francez Emanuel Makron.

Në konferencën me Ramën, Von der Leyen nuk e kurseu një premtim miklues, kur tha se ekonomia e Shqipërisë do të dyfishohej nga investimet, nëse qeveria përmbushte reformat.

Po çfarë ka ndodhur që vëmëndja e burokratëve të Brukselit dhe e dy kryeministrave më të fuqishëm të Bashkimit Europian është kthyer nga Tirana? Përse u zhvendos Procesi i Berlinit?

Deri pak vite më parë, kryeministri i Shqipërisë ishte në një situatë për të ardhur keq në raport me Brukselin. Loja e Brukselit me hapjen apo mbylljen e negociatave e ka frustruar Edi Ramën deri në pikën që e bëri qesharak.

Në mandatin e parë në pushtet, Rama ishte i entuziasmuar nga pritjet që i rezervoheshin në kancelaritë europiane. Mburrej në intervista se kishte takuar 3 herë kancelaren Angela Merkel me të cilën zhvilloi edhe një raport miqësor, ndërsa francezët i dhanë dekoratën e lartë të Komandantit të Urdhrit të Legjionit të Nderit për politikën që kishte ndjekur në rajon, pas vizitës në Beograd.

Në atë kohë, Rama lutej publikisht që hapja e negociatave të ndodhte, duke e konsideruar “një çështje për jetë apo për vdekje”.

Por nga Bashkimi Europian i vinin vetëm refuzime. Në fillim thanë se problem ishte përhapja e madhe e kanabisit dhe trafikut të drogës, pastaj se duhej bërë reforma në drejtësi, pastaj duheshin rezultate nga vetingu, pastaj arrestimet. Vitet kaluan shpejt dhe doli problemi i Greqisë me Maqedoninë, pastaj negociatat dështuan nga revanshi i politikanëve të djathtë brenda Bashkimit Europian që kundërshtonin zgjerimin, pastaj ishte Holanda me shqetësimin për kriminalitetin shqiptar dhe grupet e saj “fakt-mbledhëse”, kushtet e Gjermanisë, ankesat e Francës për azil-kërkuesit, problemet e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut etj.

Historia e negociatave/ “Dasmat pa krushq” nuk e fshehin dot dështimin

Është pak të thuash që frustrimi e ndryshoi qasjen e Ramës ndaj Brukselit. Premtimet e para, u shndërruan në justifikime dhe justifikimet në gënjeshtra, që kulmuan në një festë të rreme me dekorata për ambasadorët, në zyrat e ministrisë së jashtme. Kur gënjeshtrave u doli boja, i erdhi radha zhgënjimit cinik dhe kundërvënies.

Marrëdhënia me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç i kishte dhënë Ramës një peshë tjetër mes burokratëve të Brukselit. Fillimisht kur së bashku u bënë pjesë e Procesit të Berlinit dhe kur u takuan në vitin 2014, në një vizitë në Beograd.

Kjo marrëdhënie që u ngjiz për t’i treguar ndërkombëtarëve se  ai ishte një politikan modern, që nuk mbetej peng i inateve të vjetra nacionaliste, do t’i shërbente Ramës për të zhveshur kostumin e dështakut të negociatave, i dënuar të presë pafundësisht Godonë në dyert e BE-së.

Në Tetor të vitit 2019, kur Shqipëria dhe Maqedonia kishin marrë një refuzim tjetër për negociatat nga Bashkimi Europian, Edi Rama dhe Zoran Zaev u ulën në prehërin e Aleksandr Vuçiçit në Novisad të Serbisë, duke krijuar Minishengenin Ballkanik, një nismë që do të quhej më vonë Ballkani i Hapur.

Nisma e Novisadit bënte bashkë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në një përpjekje për të hequr kufijtë dhe për të lëvizur mallra, shërbime, kapitale pa asnjë pengesë mes tre vendeve. Mungesën e skrupujve për t’u afruar me Serbinë, në shpërfillje të Kosovës nuk e kishte pasur asnjë kryeministër tjetër shqiptar i pas viteve 90.

Nismën e Novisadit nuk e ndali as një intervistë e Vuçiçit në Politico, ku ai shprehej entuziast për projektin e ri me të cilin tentonte të ringjallte hapësirën e vjetër ekonomike dhe politike që e quante “Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë”.

Ballkani i Hapur nuk u mbështet asnjëherë nga Bashkimi Europian, pasi konsiderohej një iniciativë që i mbivendosej Procesit të Berlinit. Në fakt, ky ishte qëllimi.

Vuçiç dhe Rama të ndjekur nga Zaev i Maqedonisë së Veriut krijuan një projekt alternativ në rajon, që i zhvishte nga varësia ndaj Bashkimit Europian. Duke qenë “vetë zot e vetë shkop”, politikanët ballkanas shpëtonin edhe tërheqjet e veshit, me të cilat i ndëshkonte herë pas here Brukseli.

“Karma is a bitch” do të tallej Rama në një nga samitet e Davosit me përfaqësuesit e Bashkimit Europian, kur tregonte momentin që mësoi mbi arrestimin e eurodeputetes Eva Kaili për korrupsion. Për vite me radhë, Bashkimi Europian ka fshikulluar në raportet e tij korrupsionin mes qeveritarëve ballkanas.

Bashkë me aleancat, ndryshoi edhe fjalori. Në një vizitë të Ursula fon der Leyen në Tiranë, Rama nisi të flasë me përçmim për Procesin e Berlinit. “Shkojmë nga samiti në samit dhe përparim nuk ka. Në 8 vite ne ende s’kemi mundur të heqim një mur me tarifa. Ende nuk kemi zhdukur barrierat për eksportuesit” shprehej ai.

“Drejtuesit e BE-së, Gjermanisë e Francës nuk kanë kohë të çohen çdo mëngjes nga gjumi me pyetjen se si eci sot Procesi i Berlinit. Atë duhet ta bëjmë ne vetë këtu në rajonin tonë: “Ballkani i hapur” mund të quhet i zoti e nxjerr gomarin nga balta” shtonte Rama.

Gjatë një vizite në Gjermani, në një konferencë me kancelarin e sapozgjedhur Olaf Sholc, kryeministri i Shqipërisë foli me përçmim për Procesin e Berlinit, duke e quajtur atë një proces “të përhumbur në kanalet e burokracisë në Bruksel”.

I ndërgjegjshëm se europianët nuk e shihnin me sy të mirë “Ballkanin e Hapur”, Rama kaloi në tallje ndaj Bashkimit Europian. “Nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, BE mund të shkojë në Ballkanin Perëndimor” ishte deklarata e një viti më parë në një Samit të Sllovenisë.

Ballkani i Hapur solli më shumë përçarje në rajon. Nga Kosova erdhën akuzat për qeverinë e Shqipërisë se po shpërfillej dhimbja e mijëra shqiptarëve që ende nuk kishin një varr për të afërmit e tyre, për të cilët Serbia refuzonte ndihmën për t’i gjetur. Mali i Zi akuzoi Serbinë se përmes Ballkanit të Hapur synonte heqjen e kufijve për të forcuar ndikimin e saj ekonomik dhe politik në Ballkan. Edhe drejtuesit e Bosnje e Hercegovinës e panë të rrezikshme iniciativën dhe i qëndruan larg dyshes Rama-Vuçiç.

Pohimet që vinin nga Rusia mbi efektet e nismës Rama-Vuçiç ishin po aq shqetësuese. Pasi nuk mori dot pjesë në mbledhjen e Ballkanit të Hapur në Beograd, Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov shpërtheu në akuza kundër BE dhe SHBA.

“Ne vlerësojmë nismat kurajoze të ndërmarra nga Serbia dhe Presidentit Vuçiç, i cili ka theksuar se nuk do të angazhohet në veprime kundër Rusisë, edhe pse BE do që vendet kandidate të rreshtohen në veprime rusofobike. Siç duket qartë, ata që lëvizin fijet në Bruksel nuk e duan këtë. Ata nuk duan që ne të mbështesin Beogradin, përfshi Ballkanin e Hapur. Duket qartë që ata që janë Bruksel, por edhe NATO duan të aplikojnë në Ballkan projektin e Ballkanit të Mbyllur” tha Lavrov.

Loja me dy karrige ka qenë një luks politik i Aleksandër Vuçiçit, për hir të ndjenjave të dyzuara të popullit serb përkundrejt perëndimit. Përmes aleancës me Vuçiçin dhe me krijimin e Ballkanit të Hapur, Edi Rama krijoi iluzionin tek liderët perëndimorë se po luante të njëjtën lojë.

Por në nëntor të vitit të kaluar marrëdhëniet ndryshuan. Në mbledhjen e fundit të Procesit të Berlinit, Vuçiç mungoi. Albin Kurti nuk i përmbajti dot romuzet. “Nuk është që na mungoi fort, ndoshta të tjerëve, por jo mua” u tha ai gazetarëve duke pasur ndërmend Ramën.

Përtej kunjave, vendet e Ballkanit Perëndimor firmosën në Berlin disa marrëveshje që kishin mbetur gjysmake në “Ballkanin e Hapur”. Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina pranuan të firmosin marrëveshjet që kishin refuzuar më parë.

Në Berlin, Rama mori edhe sinjalet e para për t’i dhënë fund Ballkanit të Hapur. Në Korrik të këtij viti, në një intervistë surprizë njoftoi fundin e Ballkanit të Hapur.

“Ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë” u shpreh ai.

Nuk kaloi shumë dhe ish-bashkëpuntorët ballkanas u shprehën të habitur. Vuçiç tha se “nuk mund ta besonte se ai (Rama) kishte thënë një gjë të tillë”, ndërsa Kovaçevski tha se Ballkani i Hapur ishte ende gjallë dhe kishte ende risi për të ofruar.

Edhe në shtator, ndërsa qëndronte në New York për të marrë pjesë në mbledhjen e OKB-së, Rama u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe Aleks Sorosin, dy mbështetës të Ballkanit të Hapur. “Në shpirtin e Ballkanit të Hapur” shkruante Sorosi i vogël në diciturën që shoqëronte foton nga Neë York.

Për të dalë nga vallja e Ballkanit të Hapur, Edi Ramës i duhet më shumë se një deklaratë në media. Në fakt, kohët e fundit, qëndrimet e tij janë zbutur. Në konferencën e fundit me gazetarët, la të kuptohet se takimet me Vuçiçin dhe Kovaçevskin për Ballkanin e Hapur do të vazhdojnë njësoj si më parë. “Njëmijë herë të kthehesha, njëmijë herë do ta bëja nga e para dhe siç e kam thënë edhe më parë, fokusi tek Procesi i Berlinit nuk do të thotë që ne nuk do të kemi aktivitete të tjera trilaterale, katërlaterale. Kjo nuk diskutohet fare” tha ai.

Vuçiç ka zgjedhur të mos marrë pjesë në takimin e Procesit të Berlinit në Tiranë, por ka dërguar kryeministren Brnabiç. Takimet zyrtare të Procesit të Berlinit janë shmangur edhe nga presidenti i Francës, Emanuel Makron.

E vendosur në peshoren e Ballkanit të Hapur, vizita e krerëve të Bashkimit Europian në Tiranë i humb ngjyrat e festës. Në vend se të presë përparimin real të Shqipërisë, Brukseli ka pranuar të bëjë një pazar, për të shmangur fuqizimin e mëtejshëm të gangsterëve ballkanas, që duan të bëhen bashkë për të udhëhequr Ballkanin Perëndimor./Lapsi.al

procesi i berlinit

Lini një Përgjigje