
Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat, tha se do të trajtohen të gjitha ankesat e shprehura nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, lidhur me pretendimet se nga kompania postare DHL nuk është përmbushur shërbimi.
Celibashi deklaroi se KQZ ka një kontratë me kompaninë postare DHL për shpërndarjen e fletëve të votimit për emigrantët, por vlerësimi për performancën e saj do të bëhet pas përfundimit të procesit.
“Kur të mbarojë kontrata, do të ulemi me DHL dhe do të shikojmë se sa dhe si e ka përmbushur këtë shërbim. Është herët për të dhënë verdikte”, u shpreh ai.
Sipas kreut të KQZ-së, deri më tani janë regjistruar 156 ankesa nga votuesit.
Celibashi tha se në 90 raste, është raportuar se zarfi me fletën e votimit është lënë në derë ose në kutinë postare nga DHL, pa njoftim, ndërkohë, 21 ankesa lidhen me refuzimin e DHL për të tërhequr zarfin e plotësuar për rikthim.
Po ashtu, 9 votues kanë raportuar se nuk u ka mbërritur fleta e votimit në dokumentacionin zgjedhor, ndërsa në 8 prej tyre, KQZ ka ndërhyrë për ridërgim. Gjithashtu, 4 zgjedhës janë ankuar se nuk janë njoftuar për dorëzimin e zarfit, ndërsa 3 të tjerë thonë se nuk e kanë marrë ende fare.
Celibashi siguroi se të gjitha rastet janë duke u ndjekur dhe se çdo votues ka të drejtën të raportojë çdo problem në KQZ.
Lini një Përgjigje