TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Maj 2025, 10:18

SPAK thellon hetimin: Lobimi i fshehtë i PD-së në SHBA dhe enigma 6 milionë dollarëshe

Shkruar nga Pamfleti

  SPAK thellon hetimin: Lobimi i fshehtë i PD-së në SHBA dhe

Partitë e koalicionit "PD-Shqipëria Madhështore" thirren nga SPAK për të sqaruar kontratën misterioze...

Një ditë pas publikimit në media, SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet mbi kontratën sekrete të lobimit në vlerën e 6 milionë dollarëve, që Partia Demokratike, nëpërmjet fondacionit “Make Albania Great Again” të familjes tropojane “Seci”, ka nënshkruar me kompaninë amerikane “Continental Strategy”.

Informacionet e siguruara nga "Pamfleti" tregojnë se SPAK e ka regjistruar tashmë çështjen, duke filluar verifikimet nga procedurat e nisjes dhe financimit të kontratës, duke qenë se kjo kontratë lobimi është nënshkruar në emër të koalicionit prej 25 partish “PD-Shqipëria Madhështore”.

Të mërkurën, SPAK u ka dërguar një kërkesë për informacion drejtuesve të 24 partive të tjera në koalicion, duke kërkuar të mësojë nëse ata kanë qenë në dijeni para nënshkrimit të kontratës dhe nëse kanë dhënë pëlqimin e tyre.

Në kërkesën e SPAK-ut përfshihet depozitimi i dokumenteve origjinale të kontratës së lobimit, marrëveshjeve shoqëruese me nënshkrimet dhe vulat e partive, dhe të zyrës noteriale ku është certifikuar më 4 prill 2025.

Gjithashtu, SPAK ka kërkuar që partitë e koalicionit të dorëzojnë kontratën për një llogari bankare të përbashkët ku janë depozituar 750 mijë dollarët e parë të paradhënies, dhe ku pritet të depozitohen edhe pjesa tjetër deri në shumën e plotë prej 6 milionë dollarësh. Kjo shumë është deklaruar në emër të koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore”, dhe sipas ligjit, përgjegjësia financiare duhet të jetë e përbashkët.

Deri tani, Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), është distancuar duke deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të kësaj kontrate lobimi.

Në vazhdim të hetimeve, SPAK do të verifikojë gjithashtu nëse Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD-së kanë autorizuar ligjërisht këtë operacion financiar, siç e kërkon statuti i kësaj partie./Pamfleti

spak hetimi lobimi 6 milionë dollarë pd

Lini një Përgjigje