TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Qershor 2024, 20:41

“Problem vjedhja e votave, jo kandidati i opozitës për kryeministër!”/ Bushati: Edhe Obama me Melonin do humbnin përballë Ramës!

Shkruar nga Pamfleti

“Problem vjedhja e votave, jo kandidati i opozitës për

Analisti Andi Bushati tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se shanset e opozitës për fitore në zgjedhjet e ardhshme, janë afër zeros, sepse jemi në kushtet e një regjimi, dhe si i tillë ai nuk përmbyset me votë. I pyetur mbi propozimet që Jorida Tabaku të jetë kandidate për kryeministre nga opozita, Bushati tha që shqetësimi s’duhet të jetë si të bëhet opozita më “simpatike” apo “e pranueshme”, pasi sipas tij problemi është tjetër, “vjedhja e votave”.

"Shanset e opozitës janë afër zeros, sepse jemi në kushtet e një regjimi dhe regjimet s’përmbysen me votë. Të gjitha që japin propozime të këtij tipi, unë i paragjykoj, sepse duket se shqetësimi është si të bëhet opozita më simpatike, më e pranueshme, më joshëse, në fakt problemi s’është ky. Merrni Obamën, Melonin silleni shef të opozitës në Shqipëri, Rama prapë do ta mundi sepse do vjedhë votat. çështja është sa vota i vidhen, i rrëmbehen opozitës. Ky është problemi real i zgjedhjeve sot, dhe jo sa figurë të pranueshme do nxjerrë opozita si kandidat për kryeministër”, tha ai.

I pyetur nëse duhet të mbahen zgjedhje për kreun e PD, në kushtet kur Berisha ndodhet në arrest shtëpie, Bushati theksoi se pushteti nuk mund t’i përcaktojë axhendën opozitës, në një kohë që i ka izoluar liderin.

"Kjo është gjëja e vetme që s’duhet thënë që duhen bërë zgjedhjet. Nëse ty të izolon liderin, nuk mund të përcaktojë axhendën. Kjo i bie pushteti të caktojë edhe rivalin e vet, siç tentoi ta bënte edhe më parë. PD, po ka vërtet nevojë të hap problemin, si duhet ndërtuar lideri i ardhshëm, por në asnjë mënyrë me detyrim-përcaktim nga kundërshtari. Nuk mundet që axhenda e kundërshtarit të përcaktojë kalendarin e opozitës”, shtoi ai.

Lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës, Bushati tha se Veliaj është në ditën më të zezë sa i takon kredencialeve politike, por ai shtoi se me sistemin e ngritur, ai do të fitonte sërish nëse do t’i lejohej kandidimi për Bashkinë e Tiranës.

"Si kredenciale politike sot Veliaj është në ditën e tij më të zezë. I vetmi projekt që ka është si të shpëtojë kokën, jo si të fitojë PS-në. Nëse do ishim në sistem demokratik, Veliaj do ishte i djegur politikisht. Unë jam i bindur që nëse Veliaj do kandidonte sërish për bashkinë e Tiranës, me sistemin që këta kanë ngritur, megjithëse gjithëkush e di që është kapur me presh në duar si hajdut, prapë do t’i merrte zgjedhjet. Koncepti i zgjedhjeve është vrarë. Do i fitonte se kanë paratë, të gjitha mediat e mëdha, Veliaj sot kontrollon 95 për qind të audiencës së vendit”, tha ai.

Bushati u shpreh se nuk i beson spekulimet për luftë të brendshme në PS, pasi sipas tij Rama e ka në rresht partinë.

"Ka spekulime që ka filluar një luftë e brendshme brenda PS. Por unë s’i besoj shumë kësaj, pavarësisht se ka shumë opozitarë që thonë që rrënimi i Ramës do vijë nga lufta e brendshme, unë mendoj që Rama e ka në rresht atë parti. Kush del nga rreshti mund të pësojë fatin e Ahmetajt. Më intereson një fakt tjetër që Zoto dhe Mërtiri kanë qenë kudo prezent, jo vetëm te inceneratori. Këtu ka një fajtor të madh që i ka shtyrë të gjithë këta të tjerët të bëhen hajdutë të vegjël”, deklaroi gazetari.

Lini një Përgjigje