Presidenti Begaj theksoi se e drejta e qytetarëve për të protestuar dhe për t’u shprehur lirshëm është e garantuar nga Kushtetuta, ndërsa bëri thirrje për respektimin e ligjit, dialogut dhe vlerave demokratike.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat që prej javësh po zhvillohen në Tiranë. Ai tha se qytetarët kanë të drejtë të shprehin publikisht shqetësimet dhe qëndrimet e tyre, për sa kohë kjo bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, duke iu referuar situatës aktuale në kryeqytet, Begaj u shpreh se prej 25 ditësh, qytetarë të shumtë po protestojnë duke kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe reagimin e institucioneve të drejtësisë.
Begaj theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve në jetën publike është një e drejtë themelore e garantuar nga rendi kushtetues.
"Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues dhe neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit", deklaroi Presidenti.
Kreu i shtetit theksoi se demokracia dhe zhvillimi i vendit kërkojnë bashkëpunim mes qytetarëve dhe institucioneve, duke respektuar parimet kushtetuese dhe interesin publik.
"Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar e publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë, përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë", tha Begaj.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti ritheksoi angazhimin e institucionit që drejton për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe për promovimin e dialogut.
"Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe vlerave euroatlantike të vendit", u shpreh ai.
U ngjall ky?
Përse injorohet mosbesimi i popullit për qeverisjen. Ju i keni aprovuar pjesëtarët e qeverisë. Përse nuk nxit një komunikim mes palëve, por flet pakuptim ashtu si do krysocialisti artist. Më mirë hesht, e merr rrogën.