TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Korrik 2024, 11:39

Presidenti Begaj dekreton ministrat e rinj të qeverisë "Rama", sot pasdite seancë e posaçme në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti Begaj dekreton ministrat e rinj të qeverisë

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në qeveri. 

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar vendimin për shkarkimin e tre ministrave dhe emërimin e tre të tjerëve në kabinetin qeveritar Rama.

Kryeministri Edi Rama njoftoi të dielën ndryshimet në qeveri, gjatë Kongresit Zgjedhor të PS-së. Begajt iu deshën dy ditë për të miratuar këto ndryshime, duke nxjerrë dhe dekretet. Kujtojmë se sot në orën 18:00 do të mblidhet Kuvendi në një seancë të posaçme, për të miratuar këto ndryshime.

Socialistët nga ana tjetër kanë mbledhur firmat për propozimin e Elisa Spiropalit si kryetare e re e Kuvendit, pas dorëheqjes së Lindita Nikollës.  

Tre anëtarë të rinj do të shtohen Qeverisë Rama, ndërsa më surpriza nga të gjitha ishte largimi i Taulant Ballës nga ministër i Brendshëm pas një vit pas emërimit në një prej dikastereve më të rëndësishëm. Megjithatë Balla nuk do të largohet nga kabineti, edhe pse këtë herë do të jetë ministër pa portofol, teksa do të zëvendësojë Elisa Spiropalin si ministër Shteti për Marrëdhëniet me parlamentit.

Ministri i ri i Brendshëm do të jetë Ervin Hoxha, i cili deri më tani mban detyrën e kryeinspektorit të IMT. Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të vijë Pirro Vengu, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual Durrës. Ministri i ri i Financave do të jetë Petrit Malaj, i cili zë vendin e Ervin Metes.  

Dekreti: 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese, mori në shqyrtim propozimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Edi Rama, të datës 28 korrik 2024, për shkarkimin dhe emërimin e disa ministrave.

Në përfundim të procedurës së shqyrtimit, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot, më 30 korrik 2024:

Shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, z. Taulant Balla;

Shkarkimin e Ministrit të Mbrojtjes, z. Niko Peleshi;

Shkarkimin e Ministrit të Financave, z. Ervin Mete;

Shkarkimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Elisa Spiropali;

Emërimin e Ministrit të Brendshëm, z. Ervin Hoxha;

Emërimin e Ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vëngu;

Emërimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj;

Emërimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla.

Lini një Përgjigje