Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka bërë një denoncim të fortë publik mbi ekzistencën e një skeme piramidale që, sipas tij, është përhapur me shpejtësi dhe po shtrihet edhe në zonat e Divjakës dhe të Lushnjes.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Braçe thotë se prej dy muajsh është në dijeni të kësaj skeme, të quajtur TXEX e cila funksionon online dhe përmes telefonave celularë.
Ai thekson se është kontaktuar fillimisht nga një sipërmarrës vendas, i shqetësuar nga përhapja e fenomenit në komunitet.
Braçe bën thirrje të fortë për qytetarët që janë përfshirë në këtë skemë që të tërhiqen menjëherë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.
“Piramidat e reja, tani janë online, në çdo telefon! Po ju grabisin! Kjo-txex më e madhja!
Kam dy muaj që merrem me këtë; Divjaka është arsyeja përfshirja këtu, nisur nga numri i vogël i popullsisë, është i tmerrshëm!
Dy muaj më parë një sipërmarrës më vuri në dijeni, ai nisur nga ç’po dëgjonte prej njerëzve të ndryshëm në Divjakë. Jam munduar t’i them kujt kam mundur në Divjakë të dalë sa më shpejt nga kjo skemë piramidale apo të mos hyjë në të. Ia kam komunikuar policisë dhe dua shumë të besoj e kam besim që po bën gjënë e duhur!
Sot, kur skema mund të ketë përfshirë mbi 1000 persona vetëm në Divjakë brenda e po hyn në Lushnje, dua ta përsëris apelin publikisht, jo më individualisht:
Dilni sa më shpejt nga kjo piramidë dhe denonconi në policinë e shtetit – dorëzoni atje telefonin tuaj që hetuesit të kenë mundësi të ndjekin përgjegjësit përmes rrjedhës së parave; për kë është jashtë skeme e po joshet të hyjë; mos hyr aty, do të grabisin; ti i ke para mundi e djersë, punë të fortë e të lodhshme me tokën; mos ua jep grabitësve!”, shkruan Braçe.
Sipas tij, vetëm në Divjakë mund të jenë përfshirë mbi 1,000 persona, një shifër alarmante për një zonë me popullsi të vogël. Ai thekson se situata është “e tmerrshme” dhe se përhapja e mëtejshme në Lushnje është një kërcënim serioz.

Lini një Përgjigje