TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Tetor 2025, 19:31

Përplasjet me Kurtin, obsesioni i vjetër i Ramës!

Shkruar nga Pamfleti

Përplasjet me Kurtin, obsesioni i vjetër i Ramës!

Tirana zyrtare flet kur duhet të heshtë, hesht kur duhet të mbështesë...

Përplasja mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit ka rifilluar sot në distancë, përpara protestës që do të mbahet në Tiranë kundër Gjykatës Speciale dhe procesit që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kryeministri shqiptar e ka mbështetur këtë protestë, por jo pa ndezur zjarret e vjetra me homologun kosovar.

Lëvizja Vetëvendosje reagoi ashpër, duke ia kujtuar Ramës se ishte ai një prej politikanëve më aktivë në nxitjen dhe mbështetjen e themelimit të Gjykatës Speciale. Ata rikujtuan se në vitin 2015, Rama madje kishte udhëtuar me helikopter për në Kosovë për të bindur drejtuesit politik që ta votonin krijimin e saj.

Kjo përplasje nuk është e re. Historia politike e Ramës me liderët kosovarë është e ngarkuar me konfrontime sa herë ata nuk i janë bindur vijës së tij. Ramush Haradinaj u hodh në gjyq. Vjosa Osmanin e injoroi. Isa Mustafën e quajti "tinzar". Hashim Thaçin e fshikulloi publikisht kur refuzoi Ballkanin e Hapur. Tani, rradha është sërish e Kurtit.

Kjo sjellje e Ramës nuk është spontane. Ajo ndjek një model të njohur: përfiton politikisht në çdo rast kur liderët e Prishtinës përballen me krizë ose sfidë. Kur kishte tensione në veri, Rama dilte çdo ditë me deklarata që godisnin qeverinë Kurti dhe tentonte ta shiste veten si pro-amerikan. Kur Ballkani i Hapur filloi të zbehej, ai heshti. Tani që Kurti është në vështirësi, Rama është hedhur sërish në sulm.

Kryeministri i Kosovës ndodhet në një moment delikat. Raportet me SHBA janë të ftohta. Koalicioni i ardhshëm mbetet i paqartë. Dhe si zakonisht, në vend që Tirana zyrtare të tregojë maturi, Rama zgjedh të përzihet dhe të ngrejë gishtin e akuzës.

Përplasja e re në distancë, me fjalë dhe simbole, është thjesht shfaqja më e fundit e ambicies së Ramës për të kontrolluar narrativat në Kosovë. Edhe kur nuk është puna e tij.

Çdo krizë e Kurtit çuditërisht sjell edhe një sulm të ri nga Rama. Nga tensionet në veri, tek përplasjet për Ballkanin e Hapur apo vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ai shfaqet për ta goditur pikërisht kur Prishtina është në presion. Kjo nuk është rastësi. Është pjesë e një modeli paternalist, ku Tirana i do liderët e Prishtinës nën kontroll ose jashtë skene.

Rama e sheh veten si orën e vetme që duhet ta tregojë drejtimin e kombit shqiptar. Kush nuk ia njeh autoritetin, etiketohet si i papërgjegjshëm, si pengesë apo si figurë periferike. Por Kosova nuk është periferia e Shqipërisë dhe as liderët e saj nuk janë nëpunës të Ramës.

Ajo që i duhet bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë sot, nuk janë batutat, as protagonizmat, por respekti, maturia dhe bashkëkoordinimi. Protesta nesër meriton përkrahje, por jo përvetësim nga asnjë politikan që dje lobonte për Gjykatën Speciale dhe sot shfaqet si avokat i UÇK-së. /Pamfleti

3 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Kjo protesta në "mbrojtje të çlirimtarëve" në Tiranë, më duket si protesta në mbrojtje të Erion Veliaj. Me arrestimin e Erion Veliaj nuk goditej dhe as gjykohet P.S. Me gjykimin në Hagë nuk dënohet UCK. Zotit Thaçi me shokë, nëse nuk ju vërtetohen akuzat penale për ta, do marin pafajsi, dëmshpërblim dhe domosdo do ti kthehen rrugëtimit dhe suksesit politik. Në Kosovë ishte normale që të organizohej protestë nga PDK.

    1. e
      erti

      Nese duhet ti themi gjerat drejte ky palloshi jone nuk ka asnje lidhje me ceshtjen kombetare.

      1. L
        LUMI

        PA IKUR NGA SKENA POLITIKE SALA E RAMA KETIJ VENDI DO TI BJERE FLAMA

        Lini një Përgjigje