TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Janar 2024, 10:06

Përplasja e re gjermano-amerikane për Ballkanin Perëndimor

Shkruar nga Pamfleti
Përplasja e re gjermano-amerikane për Ballkanin Perëndimor
Olaf Scholz dhe Joe Biden /

Në luftën me Berlinin, deri tani ka humbur Uashingtoni, edhe kur ka treguar dhëmbët, si me rastin e Grenellit në vitin 2020, i cili keqpërdori Hashim Thaçin për të nisur një luftë me Angela Merkelin...

Janë lapidare fjalët dhe mllefi i Baton Haxhiut, eminencës gri të Hashim Thaçit, në momentin kur u kundërshtua shkëmbimi i kufijve, ndaj Gjermanisë dhe Angela Merkelit. Të cilën e akuzoi se ka punuar kundër Kosovës.

Jo shumë kohë pas inatit provincial të Batonit, Merkeli, ndikoi në arrestimin e Hashim Thaçit, i cili edhe sot e që 4 vjet nuk ka të drejtë as të flasë në telefon me gruan e fëmijët.

Vizita e djeshme e ministrit të ri të jashtëm të Britanisë së Madhe David Cameron në Kosovë e më pas në Beograd, po synon të zbusë përplasjen e fortë që ka shpërthyer ndërmjet Uashingtonit dhe Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

Prej ditësh tashmë ka nisur një operacion i fortë diplomatik i Berlinit, i cili e ka vënë nën një breshëri të madhe sulmi Aleksandër Vuçiçin pas zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në vend.

Zbulimi i manipulimit të zgjedhjeve në Beograd ka kapur me ‘presh në dorë’ pushtetin e Vuçiç, i cili i ka marrë bashkinë e Beogradit opozitës, që realisht e ka fituar.

Pa dorëzimin e bashkisë së Beogradit, Berlini nuk do ta lërë të qetë Vuçiçin, të cilit i ka bllokuar çdo rrugë e çdo mundësi që të përparojë si në negociatat për në BE, ashtu edhe për Kosovën.

Ishte pozicioni i fortë i Berlinit që detyroi Vuçiç që të lerë makinat me targa RKS të kalojnë në kufi, si dhe të mos bllokohet vendimi i liberalizimit të vizave, siç kërcënoi para pak kohësh Emanuel Macron.

Gjermania është angazhuar diplomatikisht me çdo vend të Bashkimit Europian që të mos bllokohet liberalizimi i vizave me Kosovën, duke zgjidhur qesen, ç’ka i ka rritur kostot këtij vendimi.

Duket qartë, se e gjitha kjo është kryer për të treguar fuqinë politike të një vendi tashmë lider në Europë që e mban fjalën e dhënë. Por që tregon edhe forcën aty ku duhet. Siç ndodhi me arrestimin e Hashim Thaçit e krerëve të UÇK-së. Të cilët, po mbushin vitin e katërt në paraburgim, ende pa dalë në gjyq, duke i deskritituar në mënyrën më spektakolare. Si Thaçi, ashtu edhe drejtuesit e tjerë, kanë deklaruar publikisht se nuk kanë pasur fuqi drejtuese në UÇK, pasi sipas mbrojtjes së tyre, Ushtria Çlirimtare nuk ka funksionuar me drejtim piramidal. E me këtë mbrojtje, si Thaçi, ashtu edhe drejtuesit e tjerë, kanë rrëzuar një histori 20 vjeçare përrallash mbi komandantllëkun e tyre. E gjitha kjo histori, pra burgosja e Thaçit dhe e shokëve të tij, ka ndodhur pasi kur ishte kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi arrestoi tre operativë të shërbimit sekret gjerman BND, të cilët ishin operativë në Kosovë, e po mblidhnin prova mbi krimet e luftës.

Ky arrestim i kryer në vitin 2008 u konsiderua nga autoritetet si një thyerje e besimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. E prej atëherë, nuk ka pasur rast pa ju treguar Hashim Thaçit se e ka Berlinin kundër. Pas Hashim Thaçit, sot Gjermania i është ngjitur Aleksandër Vuçiçit, e sipas gjasave dhe rastit paraardhës, Berlini zyrtar nuk kthehet mbrapsht.

Në këtë luftë të re, duket qartë se qeveria gjermane është përplasur fort me Uashingtonin. Administrata e Biden, edhe pse i la rrugë të lirë në operacionin me Hashim Thaçin, duket se nuk po e pranon rrëzimin e Aleksandar Vuçiç. Të paktën tani për tani.

Në këto ditë, ambasadori amerikan në Beograd Chris Hill, ka qenë disa herë në kundërshti me qëndrimet gjermane mbi legjitimitetin e zgjedhjeve dhe të qeverisë së re serbe.

SHBA kërkon të mbajë me çdo kusht Vuçiç, të cilin, duket e ka përcaktuar si një partner “kujdestar”, edhe nga fakti që presidenti serb ka një lobim të fortë si në qarqet demokrate, ashtu edhe në ato republikane në SHBA.

Por Berlini nuk ndalet. Madje po i shkakton probleme qeverisë amerikane edhe në shtëpi.

Sot e përditshmja ‘The Washington Post’, e cila ka ndikim të padiskutueshëm në Shtëpinë e Bardhë dhe Kongres, dhe për më shumë që është pronë e multimiliarderit Jef Bezos, ka botuar një analizë interesante.

Shkrimi i gazetës, që ka rrëzuar president amerikanë të fuqishëm si Nikson, akuzon Biden se ka dështuar në llastimin e qeverisë serbe.

Prestigjozja amerikane thekson në shkrimin e saj, se qeveria serbe ka falënderuar shërbimet sekrete ruse për paralajmërimin e një revolucioni si në Ukrainë, çka është thjesht një bllof për të akuzuar Perëndimin.

Shkrimi i ‘Washington Post’, duket si linjë e fortë me gjermanët, për të shtyrë administratën e Biden që të lëshojë Aleksandër Vuçiçin në rënie të lirë.

Në luftën me Berlinin, deri tani ka humbur Uashingtoni, edhe kur ka treguar dhëmbët, si me rastin e Grenellit në vitin 2020, i cili keqpërdori Hashim Thaçin për të nisur një luftë me Angela Merkelin.

Faktet flasin vetë; Grenell sot është një lobist i lidhur me Beogradin, e Hashim Thaçi, ka më shumë se 3 vjet që nuk del dot nga qelitë e Hagës.

Ndërkaq, njeriu që Gjermania e solli në pushtet, Albin Kurti, është më popullor se kurrë, edhe pse Uashingtoni nuk e honeps. Duket se ajo batuta e famshme: “Mos luaj me miellin e gjermanit”, po ngjan më e vërtetë se kurrë./Pamfleti 

përplasja e re gjermano-amerikane ballkani perëndimor

Lini një Përgjigje