
Jemi kthyer në Kolumbinë e Eskobarit, ku ministrin e Brendshëm e shkarkojnë bandat dhe drejtorin e Policisë e emërojnë po ata…
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi se është i pakënaqur me rezultatet e policisë së shtetit. Por nga ana tjetër, jemi para një fakti që në krye të policisë së Shtetit do të jetë një personazh që ministrin aktual e ka bërë të pakënaqur.
Pse ndodh kjo? Sepse procedura e shoshitjes së kandidatuave për drejtor policie nuk ka pasur një objektiv ose një vullnet që ministria e Brendshme ka dashur të arrijë. Por ka sjellë një listë emrash, që në fund na kanë futur në një grackë ku realisht do të kemi një personazh të preferuar të krimit të organizuar. Pa përmendur emra, por është fakt që kandidati më i preferuar është një drejtor në Shqipërinë e mesme që shkoi atje si vullnet i bandave më të frikshme të vendit.
Banda që rrëzuan Taulant Ballën si ministër i Brendshëm, pasi ky i fundit nuk i hapi telefonin dhe i dha SPAK lirinë të kerkonte këdo. Dhe kjo realisht ndodhi. Gjë që solli rebelimin e bandave, të cilat e bindën Edi Ramën që të largojë Taulant Ballën bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të vendosur një person që ata e kishin në listë. Ku njëri, sot është emëruar nga bandat më të fuqishme të Elbasanit dhe oligarkët e lidhur me të. E njëjta situatë që ka ndodhur në Kolumbinë e Pablo Eskobarit.
Nëse duhet të kishte vërtetë një shoshitje reale, edhe brenda ligjit aktual, duheshin gjetur personat që do të duhej të kandidojnë, por siç e kemi parë kanë kandiduar edhe persona nën hetim, madje në kërkim nga Interpol. Por në Shqipëri ka oficerë policie që kanë aftësinë dhe zotësinë për të refuzuar një presion të klaneve kriminale.
Sot na janë dhënë disa emra, 4 përgjithësisht, ku kandidati më në pole position është më i tmerrshmi, ai që vetëm t’ia zbërthesh telefonin dhe del se është njeriu i bandave të Elbasanit.
Po kush mund të jetë drejtor i Policisë së Shtetit? Meqë ligji i ri e thotë që duhet të jetë në detyrë, a nuk ka peronazhe vërtetë që plotësojnë kriteret por nuk janë promovuar? Natyrisht që ka dhe nuk duhen lënë në vullnetin e kandidimit, pasi siç ndodhi kandidoi edhe një njeri i kërkuar nga Interpol. Dhe vetëm publikimi i tij përbën një skandal. Por siç duket ky publikim është bërë për të treguar se standardi i kësaj qeverie nuk është për të gjetur kryepolicët më të përshtatshëm për t’u përballur me krimin, por ata që janë të gatshëm të bëjnë marrëveshje me krimin. Sepse një logjikë normale e thotë se personazhe si Hajrullah Xhivini, apo edhe të tjerë që kanë kandiduar nuk duhet të hynin në listë. Bëhet fjalë për një drejtues të lartë, ku edhe pse kandidatët nuk janë në nivel, nuk është e thënë se ministria nuk gjen dot nivelin apo kandidatin e duhur.
Por këtu problemi është i qartë, e nuk ka lidhje me konkurs. Jemi në një fazë ku Edi Rama, e ka mënjanuar ministrin e Brendshëm dhe po e fokuson pushtetin e tij tek një drejtor policie që ka besim absolut. Ndaj ka zgjedhur një ministër që nuk ka dijeni fare çfarë ndodh në terren. Sepse realisht ministër i Brendshëm është Edi Rama. I cili drejtorin e policisë e ka zgjedhur si kompromis ndërmjet bandave. Si në Kolumbinë e viteve të Pabo Eskobarit./Pamfleti
Lini një Përgjigje