TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Shtator 2024, 18:58

Do të dalë apo jo nga banesa? Kushtetuesja cakton datën për të vendosur mbi fatin e Sali Berishës

Shkruar nga Pamfleti

Do të dalë apo jo nga banesa? Kushtetuesja cakton datën për

Më 19 nëntor do të vendoset fati i Sali Berishës, nëse do të dalë në terren për të zhvilluar fushatë apo do ta bëjë nga ballkoni.

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 19 nëntor për të shqyrtuar ankimin e tij kundër masave të para të sigurisë.

Pasi pranoi padinë, gjykata ka caktuar dhe datën e shqyrtimit. Në ankimin e drejtuar Kushtetueses ish-kryeministri kërkon shfuqizimin e vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme në tetor 2023, por edhe ata të Apelit dhe Gjykatës së Lartë, që e lanë në fuqi masën.

Berisha ka ankimuar masën e parë, atë të “detyrimit të paraqitjes”. Në thelbin e kërkesës së ish-kryeministrit është fakti se gjykatat kanë shkelur Kushtetutën duke caktuar një masë sigurie shtrënguese ndaj tij, pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi i Republikës, për shkak të statusit të tij të deputetit.

Në Kushtetuese ankimi i Berishës do të shqyrtohet pa praninë e palëve, por vetëm mbi bazë dokumentesh.

Në të njëjtën ditë, Kushtetuesja vendosi të kalojë në seancë plenare edhe ankimin e bërë nga dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili kërkon shfuqizimin e masave të sigurisë të dhëna ndaj tij.

Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.

“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.

Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi; 

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti

Lini një Përgjigje