Opozita kërkon në Gjykatën Administrative shfuqizimin e masave disiplinore të marra në fund të vitit 2025
Partia Demokratike e ka çuar në Gjykatën Administrative çështjen e përjashtimit të disa deputetëve të saj nga punimet e Kuvendit, duke kundërshtuar vendimet e marra nga Sekretariati i Etikës në fund të vitit 2025.
Në padi përfshihen Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Fidel Kreka dhe Klevis Balliu. Ata kërkojnë që gjykata t’i shpallë të pavlefshme masat disiplinore të vendosura ndaj tyre në fund të vitit të kaluar.
Sipas pretendimeve të paraqitura në padi, gjatë shqyrtimit të çështjes në Sekretariatin për Procedurën, Votimet dhe Etikën, deputetëve nuk iu dha mundësia të paraqesin qëndrimet e tyre, të njihen me provat apo të japin shpjegime. Në të njëjtin argumentim thuhet se mbledhja u ndërpre dhe vendimi u mor më pas në një ambient të mbyllur nga përfaqësues të mazhorancës.
Partia Demokratike e cilëson këtë proces si përdorim të shumicës parlamentare për të vendosur masa ndaj opozitës. Në padi argumentohet se ndëshkimet kanë qenë joproporcionale dhe se lidhen me aktet e protestës të deputetëve opozitarë, brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit.
Pesë deputetët që kundërshtojnë vendimet i kanë përfunduar tashmë masat e marra më herët dhe janë rikthyer në jetën parlamentare. Ndërkohë, Flamur Noka dhe Elda Hoti përballen edhe me masa të reja disiplinore, përkatësisht me 20 dhe 10 ditë përjashtim, të vendosura pak ditë më parë nga Komisioni i Etikës.
Edhe në legjislaturën e kaluar, Partia Demokratike iu drejtua Gjykatës Administrative për çështje të ngjashme. Në vitin 2024, gjykata pranoi pjesërisht kërkesën e saj dhe shfuqizoi ose uli masat e vendosura ndaj 24 deputetëve demokratë.
Lini një Përgjigje