
Brenda 24 orësh, ambasadori i BE-së dhe ai i Gjermanisë takuan figurat kryesore të opozitës së re në Shqipëri, në një lëvizje që lexohet si sinjal politik për thyerjen e status quo-së dhe për ndërtimin e një alternative jashtë boshtit Rama-Berisha...
Brenda 24 orësh, dy përfaqësuesit diplomatikë më të rëndësishëm të Europës, përkatësisht ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë dhe ai i Gjermanisë, kanë zhvilluar takime me opozitën e re në Shqipëri.
Përkatësisht, Silvio Gonzato ka takuar Adriatik Lapajn dhe Arlind Qorrin, ndërsa Karl Bergner ka takuar Agron Shehajn dhe Erald Kaprin.
Thuajse në një koordinim perfekt, të dyja selitë diplomatike dhanë përkufizimet e tyre mbi këto zhvillime.
“Biseda të vlefshme sot me Adriatik Lapajn e ‘Shqipëria Bëhet’ dhe Arlind Qorrin e ‘Lëvizja Bashkë’, ku ramë dakord se një demokraci e shëndetshme ndërtohet mbi pluralizmin.
Bashkëjetesa e zërave të ndryshëm politikë ndihmon në pasqyrimin e vetë strukturës së shoqërisë, siguron përfaqësim të drejtë dhe rrit besimin e publikut.
Çdo votë e hedhur duhet të ketë të njëjtën peshë, në mënyrë që rezultatet zgjedhore të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve.
Prandaj reforma zgjedhore ka rëndësi. Një kuadër zgjedhor i drejtë dhe transparent siguron që përfaqësimi në parlament të pasqyrojë zgjedhjet e votuesve. Ai fuqizon qytetarët, nxit pjesëmarrjen dhe forcon llogaridhënien”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Ndërkaq, ambasadori gjerman ka publikuar deklaratën në vijim:
“Cilat janë dinamikat në Parlamentin shqiptar dhe në peizazhin aktual partiak? Çfarë roli luan kultura e kujtesës dhe historia e komunizmit për Shqipërinë sot?
Ambasadori Bergner diskutoi këto dhe çështje të tjera sot me deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri të Partisë Mundësia. Një demokraci e gjallë karakterizohet nga pluralizmi dhe një parlament i fortë, i cili respekton edhe të drejtat e opozitës. Ju falënderojmë për vizitën dhe për bisedën e hapur!”
Ky zhvillim politik duket qartë se ka një qëllim, një synim dhe një mesazh të organizuar. Mesazh që lexohet si në formë, ashtu edhe në përmbajtje.
Në formë, diplomatët kryesorë të BE-së kanë takuar opozitën e re në kohën më të vështirë për të, kur relevanca politike e saj nuk është në nivelin më të mirë.
Partitë e reja të opozitës janë sot në hije, por Bashkimi Europian i solli në dritë, duke dhënë një mesazh të fortë për publikun, në radhë të parë; për qeverinë dhe mazhorancën, në radhë të dytë; e veçanërisht për Sali Berishën, në radhë të tretë, por jo të fundit nga rëndësia.
Thelbi i mesazhit është i qartë: në formë, Bashkimi Europian ka si partner të preferuar një opozitë të re, të cilën e mbështesin edhe sondazhet që bëhen periodikisht, ku një forcë e re preferohet më shumë nga qytetarët. Sinjali ka një rezultante: duhet kaluar në një fazë të re të formësimit alternativ të një opozite të re, të cilën, edhe nëse Edi Rama dhe Sali Berisha duan ta margjinalizojnë, Europa e përkrah. Ky mesazh është i qartë.
Mesazhi tjetër është në përmbajtje, dhe kjo është më e rëndësishmja. Europa i kërkon opozitës së re të thyejë status quo-në në lidhje me reformën zgjedhore, kushtetuese dhe territoriale. Pavarësisht se nuk i kanë numrat, ata kanë mbështetjen europiane.
Pra, të thyhet baza sistemike që e mban këtë sistem kaste në këmbë. Europa jep sinjalin ndaj të rinjve: doni mbështetjen tonë? Thyeni kastën, na keni në krah. E për këtë arsye po i inkurajon të revolucionarizojnë sistemin.
Natyrisht, ky sinjal i drejtohet mazhorancës për t’i thënë se Europa kërkon një ndryshim, por gjasat, ose të paktën ajo që duket, është se mesazhi i drejtohet opozitës. Asaj i thuhet hapur që të braktisë opsionet e vjetra, sepse nuk do të ketë përkrahjen e Europës.
Takimi ceremonial i opozitës së re, në këtë mënyrë, është një shuplakë ndaj lidershipit të PD-së, madje një shuplakë e fortë.
Europa duket se e ka një ide të qartë se si duhet të jetë opozita e re, siç e thotë ambasadori Gonzato: “Një kuadër zgjedhor i drejtë dhe transparent siguron që përfaqësimi në parlament të pasqyrojë zgjedhjet e votuesve. Ai fuqizon qytetarët, nxit pjesëmarrjen dhe forcon llogaridhënien”.
Apo ambasadori gjerman, me anë të pyetjeve që ngulen si gozhdë: “Cilat janë dinamikat në Parlamentin shqiptar dhe në peizazhin aktual partiak? Çfarë roli luan kultura e kujtesës dhe historia e komunizmit për Shqipërinë sot?”
Troç: Europa dërgoi mesazhin e saj politik për ndryshim, i cili duket si nisja e një plani me konture të qarta; pa Edi Ramën dhe Sali Berishën./Pamfleti
Ku pjerdh Edi per Europen. Te gjithe dylbera jane keta.
Keta ambasadore duhet tu thone shefave te tyre se: ne Albania nuk kane lindur ende burrat opozitare. Ose, ambasadoret i genjejne me vetedije shefat e tyre. Kjo e fundit eshte me e mundeshme. Sepse keshtu dalin te gjithe te kenaqur.