TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Prill 2026, 17:25

"Ka ardhur inspektim nga Brukseli", Rama 'pranon' ngërçin me negociatat: S'ka BE pa kapur standardet!

Shkruar nga Pamfleti
"Ka ardhur inspektim nga Brukseli", Rama 'pranon'
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, në një takim në Berat me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit, pranoi se për të shkuar në BE rruga tashmë është e vështirë dhe se Shqipëria ka 1001 sfida.

Rama bëri të ditur se një grup inspektorësh nga Brukseli kishin ardhur për të lënë një sërë rekomandimesh që duheshin plotësuar nga Shqipëria. 

Kryeministri theksoi se “ne duhet t’i rezistojmë kësaj dallge”, teksa foli për rritjen e pagave në bujqësi, investimet, lehtësimin e taksave dhe skemat e tjera mbështetëse për këtë sektor, me synimin që të arrihet një standard prodhimi që të jetë i tregtueshëm për tregun e madh të BE-së

“Mbi 70 përfaqësues të fabrikave në fushën e përpunimit të vajit të ullirit janë bashkuar në një konsorcium të vetëm, duke krijuar një model unik në shitjen e këtij produkti me më pak kosto dhe më shumë fitime; një nismë që do të ketë në vijim mbështetje të posaçme nga bashkia dhe qeveria, me një program të ri kombëtar “Dyfisho Ndërmarrjen”, që do të mundësojë financim për të gjithë ata që duan të rriten si biznes me një plan konkret dhe bindës”, tha ai mes të tjerash para bujqve dhe fermerëve beratas.

Rama më tej kaloi te çështjet e integrimit nëpërmjet kapjes së standardeve dhe një prej tyre ishte fusha e Bujqësisë, për të cilën shtoi se është një sfidë më vete dhe e madhe. Rama pranoi se shumë prej prodhuesve apo kategorive nuk i kapin standardet.

“Sa i përket financimeve evropiane, ne kemi domosdoshmërinë për t’u bërë pjesë e BE-së për 1001 arsye por kemi edhe 1001 sfida dhe një prej tyre të futjes atje në BE është siguria ushqimore. Që do të thotë se duke u bërë pjesë e BE-së nuk do të thotë se ti nuk eksporton atje, por s’e shet dot as këtu. Ndaj dua që të gjithë ata që kanë investuar në prodhim dhe agroprodhim duhet të sigurojnë standarde. Ka ardhur inspektim nga BE për pjesën më delikate të kësaj fushe që është ajo e prodhimeve nga gjëja e gjallë, bulmetrat dhe mishi. Janë 900 e ca pika në Shqipëri që trajtojnë këtë pjesë të fushës së bujqësisë dhe zhvillimit rural. Dhe kanë lënë një sërë rekomandimesh, nga ajo që duhet të bëjë përmirësime për të rritur standardet dhe te kategoria që është larg standardeve dhe që ka mundësi të përmirësohet si dhe ajo kategori që duhet hequr fare nga lista”, tha ai.

Por sipas tij, shqiptarët kanë aftësi për t’u adaptuar dhe besonte se do e kalonte këtë “dallgë”.

Por shtoi se pa kapur standardet në produktet ushqimore dhe cilësinë e tyre, nuk mund të kishte integrim.

“Unë besoj se shqiptarët kanë aftësi të jashtëzakonshme për tu adaptuar dhe besoj se do i rezistojmë kësaj dallge, por duhet të nisë tani puna se është gjynah që ai që ka investuar deri tani ta humbasë me idenë hajt se duhet të rregullohemi. Nuk rregullohemi dot nëse nuk kapim standardet e BE, janë mira jonë por edhe e konsumatorit dhe duhen arritur. Ne jemi një emër që nuk ka nam të keq, kjo është e rëndësishme, ama nga ana tjetër duhet t’i bëjmë ysmetin dhe të jemi të mençur nga mënyra si prodhojmë vajin e ullirit, si e paketojmë dhe reklamojmë produktin se si të jetë edhe më i kërkuar. E nisa me Demon dhe po e mbyll me Demon, ministri, do ndërtojmë një pikë atje siç e thotë ai produkt eksperience, do të jetosh me eksperiencë, eja në Berat, Berati ka shumë eksperiencë por nëse do të ngjitesh lart, filloje nga Berati”, përfundoi Rama, duke bërë edhe batuta me fermerët dhe bujqërit e pranishëm në takim.

be edi rama bllokim

Lini një Përgjigje