Ogerta Manastirliu apo Erion Braçe, kush do të jetë kandidati i PS-së për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 2027-ës?
Deputetja socialiste Iris Luarasi flet për surpriza që mund të shfaqen në muajt në vazhdim, duke mos përjashtuar mundësinë e emrave surprizë. Ajo gjithashtu e konsideron luftën brenda llojit si një konkurencë për forcat politike, duke u shprehur se nëse do të kishin të gjithë mendimet njëlloj, kjo do të ishte e mërzitshme.
Në News24, Luarasi thekson se kur në një proces ka kandidatë të cilësishëm, që sjellin një background të fuqishëm politik dhe ekspertizën e tyre, kjo e bën më interesante atë që ndodh brenda një mazhorance.
“Mendoj që i bën mirë PS-së sepse sa më shumë kandidatë të ketë nga brenda aq më të mirë e bën procesin. Por mund të kemi shumë surpriza në 12 -13 muajt e ardhshëm”, shprehet ajo.
Duke folur për përplasjet përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali në mbledhjet mes socialistëve, Luarasi e konsideron debatin si të shëndetshëm.
“Mendimi ndryshe në PS mendoj që vlerësohet, e shoh edhe në atë që ndodh në debatet brenda mbledhjeve me dyer të mbyllura, ka njerëz që mendojnë ndryshe madje do të ishte trishtuese nëse të gjithë do të mendonin njëlloj. Kudo ka luftë brenda llojit, kjo është konkurrencë dhe çon para procesin.
Lufta brenda llojit është gjëja më normale në botë, madje më duket gjëja më normale dhe njerëzore për një mazhorancë që ka 13 vite në pushtet. Nuk ka asnjë organizëm politik brenda dhe jashtë Shqipërisë që nuk e ka këtë luftë”, tha ajo.
Lini një Përgjigje