
Drejtuesit e PD janë mbledhur në selinë e partisë mesditës e sotme, për të diskutuar mbi përgatitjet e fundit para protestës, e cila do të zhvillohet në orën 18:00.
Në takim ishin prezentë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Edi Paloka dhe Albana Vokshi.
Protesta vjen si një reagim ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, e cila ka rritur tensionet politike pas dënimit të deputetit Ervin Salianji me një vit burg nga Gjykata e Apelit.
Ky vendim ka shkaktuar shqetësime brenda opozitës dhe është parë si një shenjë e “represionit politik”, ndaj PD ka vendosur të organizojë këtë protestë për të shprehur pakënaqësinë e saj dhe për të mobilizuar mbështetje nga qytetarët.
Për të ruajtur qetësinë dhe sigurinë gjatë protestës, do të angazhohen rreth 1500 forca policie, përfshirë policinë e rendit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe Shqiponjat.
Partia Demokratike ka bërë thirrje për mbështetje masive, duke e paraqitur këtë protestë si një mundësi për qytetarët që të shprehin zërin e tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie nga qeveria.
Lini një Përgjigje