Meloni nuk arrin dot të “heqë qafe” gjyqtarët që i rrëzuan paktin me Ramën...
Ditët e fundit ka pasur një zhvillim interesant në përplasjen e qeverisë italiane me drejtësinë, për çështjen e qendrave të azilkërkuesve në Shqipëri.
Me një dekret të fillimit të dhjetorit, qeveria u hoqi juridiksionin për këto çështje gjyqtarëve të dhomave të specializuara në gjykatat e shkallës së parë, pasi gjykata e Romës rrëzoi qeverinë dy herë për dërgimin e refugjatëve në Shqipëri.
Dekreti parashikon se që nga fillimi i dhjetorit, Gjykatat e Apelit do të vendosin për procedurat e vleftësimit apo zgjatjes së paraburgimit të azilkërkuesve dhe jo më seksionet e specializuara të gjykatave, që janë pikërisht ato të specializuara për të tilla raste. Vendimi ngjalli shumë pakënaqësi në organet e drejtësisë, të cilët e kishin cilësuar si një “fatkeqësi e paralajmëruar” që do të rrezikonte të ngadalësonte ndjeshëm aktivitetin e gjykatave të Apelit.
Por, nga 18 dhjetori, për të menaxhuar këto çështje, presidenti i Gjykatës së Apelit të Romës, Giuseppe Meliadò vendosi në mënyrë legjitime të largonte përkohësisht disa magjistratë nga gjykata, duke afruar të njëjtët gjyqtarë që shërbejnë te dhomat e specializuar për refugjatët. Me pak fjalë, të njëjtët emra që qeveria donte t’i shmangte.
Ajo që bëri Meliadò, është një masë e përkohshme, ku një ose më shumë magjistratë transferohen nga zyra ku punojnë, për të kompensuar mungesën e personelit diku tjetër. Kur Gjykata e Apelit e Romës e gjeti veten duke u marrë me një juridiksion të ri që nuk e kishte pasur më parë, kreu i saj në mënyrë legjitime vendosi të afronte gjyqtarët e seksionit të emigracionit. Meliadò shpjegoi se "Gjykata e Romës nuk është në gjendje të përballojë këto ‘kompetenca’ të reja me stafin e saj aktual, që përcaktojnë një situatë reale emergjente për zyrën".
Në Gjykatën e Apelit të Romës janë gjithsej gjashtë magjistratë. Katër janë gjyqtarët e zhvendosur nga gjykata që ishin marrë me qendrat në Shqipëri: Antonella Marrone, Maria Rosaria Ciuffi, Cecilia Cavaceppi dhe Giuseppe Molfese. Kompetenca për menaxhimin e qendrave në Shqipëri i takon ekskluzivisht Gjykatës së Apelit të Romës, por i njëjti vendim mund të merret edhe nga gjykatat e tjera të apelit në Itali për administrimin e çështjeve të tjera që lidhen me emigracionin.
Midis tetorit dhe nëntorit, gjyqtarët e Gjykatës së Romës rrëzuan dy herë ndalimin e emigrantëve në qendrat në Shqipëri, bazuar në një vendim të fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Qeveria sulmoi gjykatën me tone shumë të ashpra, duke e akuzuar se kishte marrë një vendim me karakter politik dhe ministri i Drejtësisë Carlo Nordio argumentoi se gjyqtarët e Romës kishin marrë një vendim që ishte jashtë kompetencës së tyre.
Për të kapërcyer problemin, Fratelli d'Italia vendosi të zhvendoste juridiksionin në gjykatat e apelit. Por duket se telashet do të vijojnë, pasi janë të njëjtët gjyqtarë që do të vendosin sërish. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Post”
Lini një Përgjigje