Ambasada amerikane nuk ka kthyer ende një përgjigje dhe në varësi të asaj që ata do të thonë, do të varet fati i reformës...
Pazaret në prapaskenë kanë rritur kërcënimet ndaj drejtësisë së re. Rama dhe Berisha ranë dakord që t’i jepej fund kaosit në Parlament, por në fakt mes tyre u arrit një dakordësi për të ndryshuar ligjet me shumicë të cilësuar dhe sidomos ato të reformës në drejtësi. Mes ligjeve që janë në tryezë është dhe ai për SPAK.
Grupi i punës i përbërë me deputetë të PS dhe të Rithemelimit ka bërë gati paketën, teksa u ka dërguar një letër misioneve partnere. Bashkimi Europian ka kthyer përgjigje dhe jep një sërë rekomandimesh, duke përfshirë mandatin e prokurorëve të SPAK. Këta të fundit pas 9 vitesh duhet të largohen, teksa kanë propozuar që të kenë të drejtë rikandidimi. Sipas Brukselit ata duhet të kalojnë në Apel.
BE nuk pranon propozimin e Parlamentit që problematikat me anëtarët e KLP të zgjidhen nga vetë institucioni, pa kaluar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese. Konflikti i interesit citohet si arsye.
“Propozimet synojnë të kufizojnë kompetencën e Gjykatës Kushtetuese në sjelljet disiplinore të anëtarëve të Këshillit gjatë ushtrimit të funksionit të tyre si anëtar i Këshillit dhe jo kur veprojnë si gjyqtarë apo prokurorë. Është e diskutueshme nëse kjo është e këshillueshme, pasi – edhe pse anëtari përkatës i Këshillit mund të tërhiqet, kur kolegët e tij/saj janë duke vendosur për rastin e tij/saj, ka ende një marrëdhënie shumë të fortë mes anëtarëve, gjë që mund të shmanget nëse ja lë Gjykatës Kushtetuese të vendosë për raste të tilla", thuhet në njoftim.
Ekspertët e Bashkimit Europian kërkojnë ndalimin me ligj të së drejtës për të dhënë mësim pranë Shkollës së Magjistraturës, të personave që nuk kanë kaluar vettingun apo nuk i janë nënshtruar këtij procesi.
Por teksa BE ka folur, pritet mendimi i SHBA. Ambasada amerikane nuk ka kthyer ende një përgjigje dhe në varësi të asaj që ata do të thonë, do të varet fati i reformës.
Deputetja demokrate e Rithemelimit, Dhurata Çupi që është pjesë e grupit politik të ngritur pranë Komisionit të Ligjeve, thotë se opozita nuk do të pranojë asnjë përtej asaj që do të rekomandojnë dy misionet, Euralius dhe OPDAT. “Nuk do të kemi asnjë dakordësi tjetër përveç asaj që reflektojnë dy misionet e dy aleatëve tanë ndërkombëtarë, që kanë qenë pjesë e të gjithë paketës në drejtësi që prej 2016. Deputetët e opozitës dhe opozita do të jetë në dispozicion dhe në propozim të asaj çfarë propozojnë misionet ndërkombëtare”, tha ajo.
A do ta lërë ambasada dyshen Rama-Berisha të fusin duart te investimi i tyre? Ka zëra që mund të tentohet dhe të mos merret parasysh mendimi i ndërkombëtarëve, por a do guxojë kush të sfidojë “Rrugën e Elbasanit”? /Pamfleti
Lini një Përgjigje