TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Qershor 2026, 17:19

Pas ‘suksesit’ me Akademinë e Barinjve dhe Diellën, qeveria prezanton... ‘bujkun dixhital’ Ylli

Shkruar nga Pamfleti
Pas ‘suksesit’ me Akademinë e Barinjve dhe Diellën,
Andis Salla duke prezantuar "Yllin"

Inteligjenca Artificiale kthehet në paradë mode, ndërkohë mbështetja për fermerët është minimale...

Qeveria shqiptare duket se nuk po heq dorë nga pasioni për personazhet dhe projektet me emra simbolikë. Pas shumëpërfolurës “Akademi e Barinjve” dhe asistentes virtuale “Diella”, këtë herë radha i ka ardhur “Yllit”, personazhit më të ri të krijuar me Inteligjencë Artificiale, që sipas Ministrisë së Bujqësisë do të shërbejë si asistenti virtual i fermerëve shqiptarë.

“Ylli” u prezantua këtë të hënë nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, si një mjet që do të ofrojë informacion dhe orientim në kohë reale për fermerët, përmes Portalit të Fermerit. Sipas ministrit, asistenti virtual do të ndihmojë në aplikimet për skemat mbështetëse, do të japë informacion për pesticidet, plehrat kimike, kushtet atmosferike, tregjet dhe orientimin për aktivitetin bujqësor.

Por prezantimi i “Yllit” ka rikthyer në kujtesë një sërë nismash të ngjashme që kanë bërë bujë më shumë për emrin dhe marketingun sesa për ndikimin real te qytetarët.

Më e famshmja mbetet “Akademia e Barinjve”, e promovuar disa vite më parë nga ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, si një program për trajnimin e të rinjve në blegtori. Projekti u kthye shpejt në objekt ironish dhe memesh në rrjetet sociale, duke u shndërruar në një nga episodet më të komentuara të mandatit të saj.

Më pas erdhi “Diella”, asistentja virtuale e qeverisë e ndërtuar me Inteligjencë Artificiale, e cila u përdor gjerësisht në fushatën për amnistinë fiskale dhe më vonë për promovimin e nismave të ndryshme shtetërore. Rastësisht ose jo, pikërisht sot Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendimin për ligjshmërinë e marrëveshjes së emigrantëve me Italinë, një nga temat për të cilat “Diella” është përdorur më së shumti në komunikimin publik të qeverisë.

Tani stafeta kalon te “Ylli”, me shpresën se do të ketë më shumë sukses sesa paraardhësit e tij virtualë.

Megjithatë, ndërsa qeveria prezanton avatarë të rinj dhe flet për transformim digjital, shumë fermerë vazhdojnë të përballen me probleme shumë më konkrete: kostot e larta të prodhimit, mungesën e subvencioneve konkurruese me rajonin, vështirësitë për të shitur prodhimet, mungesën e fuqisë punëtore dhe emigrimin e vazhdueshëm nga zonat rurale.

Për ta, pyetja kryesore mbetet nëse “Ylli” do të arrijë të japë përgjigje aty ku politikat bujqësore prej vitesh nuk kanë mundur, apo nëse do të jetë thjesht personazhi më i ri në galerinë e gjatë të projekteve me emra të bujshëm që kalojnë më shpejt në rrjetet sociale sesa në arat e fermerëve shqiptarë.

ylli salla

Lini një Përgjigje