
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka revokuar akreditimin e vëzhguesve të partive. Sipas këtij vendimi në Qendrën e Votimit në Vorë nuk lejohet asnjë vëzhgues partie, përveç mediave dhe ndërkombëtarëve.
Ky akt i Celibashit vjen pas tensioneve dhe përplasjeve në QV e Vorës.
Gjatë paradites, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, u përfshi në një debat të ashpër me qytetarët e zonës, që mbanin karta akreditimi provizore, duke u paraqitur si vëzhgues.
Debati degradoi në fyerje të rënda mes tyre.

Në mbështetje të neneve 6, 7, 19, pikat 1, shkronja “n”, dhe 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Vendimit nr. 23 date 1.2.2023, “Për procedurat dhe kriteret e akreditimit të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, komisionet e qendrave të votimit dhe vendet e numërimit të votave, në zgjedhje”,
Vendosi:
Revokimin e akreditimit të të gjithë vëzhguesve, për KZAZ-në nr. 27, Bashkia Vorë, Qarku Tiranë, të lëshuara për KZAZ-në, KQV-të dhe VNV-të, përveç vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave..
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij.
Lini një Përgjigje