
Anëtarja e Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka reaguar pas përplasjes me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, duke hedhur akuza për mënyrën se si funksionojnë proceset brenda partisë.
Në një deklaratë për mediat jashtë selisë blu, Kuçana u shpreh se në Partinë Demokratike është krijuar një problem serioz, pasi mbështetja e Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, është vendimtare për të marrë një pozicion drejtues.
"Duhet të marrësh mbështetjen e Mulit për të marrë një pozicion në PD. Kjo është e patolerueshme. ‘Mulizmi’ është një fenomen që duhet luftuar. I ftoj të gjithë demokratët që ta luftojnë këtë fenomen. Duhet të votojmë njerëz që janë të shkëputur nga klanet. Kemi sekretarë që janë larguar dhe kanë shkuar në gjirin e Edi Ramës. Ju ftoj, në ditët në vazhdim do të ketë informacione të tjera", deklaroi Kuçana.
Kuçana tha gjithashtu se vendosi t'i bëjë publike qëndrimet e saj, pasi pretendon se zëri i saj nuk është dëgjuar brenda forumeve të Partisë Demokratike.
"Në momentin që në forumet e partisë nuk më dëgjohet zëri, unë do të dal ta bëj publike për demokratët. Në momentin që PD nuk do të duhet të dëgjojë anëtarët e Këshillit Kombëtar, ky është një problem shumë i madh. PD duhet të afrohet sa më shumë me protestën", u shpreh Kuçana.
Kuçana kritikoi edhe mënyrën se si Partia Demokratike po e trajton protestën qytetare, duke kërkuar që Këshilli Kombëtar të miratonte një rezolutë në mbështetje të saj.
"Më lejoni t’ju them që PD dhe Këshilli Kombëtar duhet të dilte me një rezolutë mbështetëse. Ne jemi PD që funksionon me rezoluta dhe shkresa. Kërkova që të dilte me një rezolutë serioze në mbështetje të protestës", tha Kuçana.
Lini një Përgjigje