Gazetari 40-vjeçar humbi kontrollin e motomjetit me katër rrota në zonën e Dajlanit, ndërsa një i ri 18-vjeçar që udhëtonte me të mbeti i plagosur lehtë.
Kanë dalë detaje të reja nga aksidenti tragjik që i mori jetën gazetarit Enrik Memeti, rreth 40 vjeç, banues në Vlorë.
Sipas informacionit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40 në zonën e Dajlanit, në bregdetin e Vlorës, jashtë zonës rrugore. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se Memeti po drejtonte një motomjet me katër rrota, kur ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, duke bërë që mjeti të përmbysej.
Si pasojë e përmbysjes, gazetari ka marrë dëmtime të rënda trupore. Pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe autoambulanca, ndërsa i plagosuri u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t'u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi me iniciale K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Verifikimet paraprake tregojnë se aksidenti ka ndodhur në një sipërfaqe bregdetare, jashtë zonës rrugore, pa përfshirjen e mjeteve të tjera apo përdoruesve të rrugës.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut që çoi në këtë ngjarje tragjike.
Lini një Përgjigje