
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka folur pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila pritet të fillojë në orën 18:00, ku do të votohet edhe për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.
Korreshi, i cili kandidon përballë Flamur Nokës, tha se vendimi për të hyrë në garë ishte vendim i minutës së fundit.
"Është vendim i ditës së sotme", u shpreh ai, ndërsa pyetjes së gazetarëve nëse ishte një vendim personal, iu përgjigj se: "Nuk më detyron njeri".
Ndërsa i pyetur nëse kishte pasur kohë të bënte fushatë mes anëtarëve të Këshillit Kombëtar, deputeti demokrat u shpreh se nuk e ka parë të nevojshme një gjë të tillë.
"Na njohin. Lobimi është ajo çka ne përfaqësojmë me njëri-tjetrin. Të gjithë e dinë. Nëse ka ardhur koha që do të ndryshojë, do të ndryshojë", deklaroi Korreshi.
Ai u pyet gjithashtu se çfarë do të bënte nëse do të zgjidhej numri dy i Partisë Demokratike, ai preferoi të mos komentonte rezultatin para votimit. "Të mbarojë njëherë votimi", u përgjigj Korreshi.
Lini një Përgjigje