TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Prill 2025, 08:10

Partitë ‘ndezin’ sot motorët e fushatës për 11 Majin; Rama kërkon mandatin e katërt, Berisha rikthimin në pushtet

Shkruar nga Pamfleti

Partitë ‘ndezin’ sot motorët e fushatës për 11

Berisha dhe Rama në garë, njëri për rikthimin në pushtet, tjetri për mandatin e katërt...

Partitë politike do të ndezin sot ‘motorët’ e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Një muaj ethesh elektorale mes kampeve që garojnë për pushtet dhe atyre që kërkojnë të thyejnë binomin PS-PD për herë të parë që pas pluralizmit në Shqipëri.

Socialistët dhe kryeministri Edi Rama do kërkojnë mandatin e katërt pas 12 vitesh qeverisjeje, me sloganin e tyre “Shqipëria 2030 në BE”, kurse Demokratët do të kërkojnë mandatin për t’u rikthyer pas 12 vitesh në pushtet, pas një lufte të gjatë të brendshme politike dhe me disa fraksione që garojnë të ndara për mandate deputetësh.

Një muaj fushatë që parashikon një agjendë të ngjeshur takimesh elektorale në të 12 qarqet e vendit, për 140 mandatet e Kuvendit, ku çdo forcë apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.

Partia Socialiste sot ka kryesisht takime me gratë në të 12 qarqet, me motivin për afrimin e grave në politikë dhe përfshirjen e tyre në struktura drejtuese të vendit sa më shumë.

Ndërkohë, Partia Demokratike nis sot në orën 19:00 në sheshin Nënë Tereza zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit. Kreu i PD Sali Berisha, do të jetë një nga folësit politikë, ndërsa tjetri që pritet të ketë një komunikim do të jetë edhe strategu i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita i cili pritet të mbërrijë në Shqipëri mbrëmjen e sotme.

Ndërkohë që në podium pritet të ngjiten edhe qytetarët të cilët do të rrëfejnë historitë e tyre.

Më 12 prill do të prezantohet programi ku kandidatët sipas një udhëzimi do të takojnë qytetarët për t’ua bërë të ditur programin.

I pyetur se cilat ishin pritshmëritë për numrin e mandateve që Aleanca për Shqipërinë Madhështore do presin nga 11 maji, Berisha preferoi të mos flasë me numra.

“Unë nuk jap kurrë përqindje dhe numra, sepse unë nuk jam profet. Ajo që bëj unë është të siguroj një mbështetje madhore kombëtare dhe ndërkombëtare në fitoren e 11 majit dhe besoj se këto janë evidente. Shihni entuziazmin që ekziston dhe optimizmin e ligjshëm që ekziston sot në Shqipëri”, tha Berisha.

Vetë Partia Socialiste fushatën e hap zyrtarisht më 12 prill në orën 12, simbolikë që lidhet me 12 yjet në flamurin e BE, destinacion që socialistët e kanë premtim kryesor. 

Fushatën më 12 prill, një orë para socialistëve do e çelë edhe Lulzim Basha që në këto zgjedhje hyn nën logon e koalicionit euroatlantik.

Hapet sot zyrtarisht fushata, ja aktivitet të partive kryesore në garë

Ditën e sotme (11 prill) hapet zyrtarisht fushata elektorale për partitë e regjistruara në garën e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Partia Demokratike do të çelë fushatën në orën 19:00 në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërsa në datën 12, ora 17:00, kjo parti do të shpalosë të plotë programin elektoral në Pallatin e Kongreseve.

Partia ‘Mundësia’ e Agron Shehaj do të çelë po ashtu nesër fushatën në një mënyrë të veçantë. Shehaj do të zhvillojë një tur me autobus nga veriu në jug me autobus të personalizuar me simbole të partisë së tij. Ai do të niset nga Shkodra në 08:00 të mëngjesit, Lezhë, Durrës, Kavajë, Lushnje, Fier, Vlorë, Selenicë dhe në orën 20:00 turin do ta mbyllë në Sarandë, ndërsa më 13 prill do të zhvillojë një takim të posaçëm për prezantimin e plotë të programit.

Nisma Shqipëria Bëhet do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin para  “Flamurtari”.

Edhe Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashën do të çelë fushatën po ashtu më 12 prill, ora 11:00, te Xibraku.

Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis.

Djathtas për Zhvillim nuk do të zhvillojë diçka të posaçme në kuadër të çeljes zyrtare të fushatës, pasi sipas saj aktiviteti hapës i fushatës së tyre quhet ai i 24 marsit te Hotel Tirana.

Lini një Përgjigje