Siç pritej, çelja e fushatës u kthye në show. Pas 10 vitesh në pushtet nuk ka më se çfarë të premtojë dhe Rama sot e karakterizoi fushatën te sulmet dhe “gallata”.
Partia Socialiste ka çelur zyrtarisht fushatën zgjedhore në vend. Pas takimit që pati në Kryesi, Kryeministri Edi Rama mblodhi në sheshin “Skënderbej” kandidatët për 61 bashkitë e vendit dhe deputetët, ku hapi fushatën.
Në fjalën e tij, Rama mori si shembull Shkodrën, e cila drejtohet nga PD. Sipas tij, ky qytet është lënë në mëshirë të fatit. Nga ana tjetër vijoi retorika e rritjes së pagave. Duket se manovrat e javëve të fundit do të jenë dhe kryeqendra e fushatës së PS në këto zgjedhje. Duke qenë se nuk ka se çfarë premtime të bëjë më, Rama duket se tani po kapet te kjo pjesë me qëllim që të bindë qytetarët.
“Kemi dyfishuar të ardhurat për frymë në Shqipëri. Ambicia ime është që brenda 2030 të kemi një pagë minimale të paktën 60 mijë lekë. Pavarësisht ngecjeve apo rrëzimeve gjatë rrugës, jo që këto nuk bëhen, por vendi kthehet përsëri prapa. Siç është kthyer sa herë që ata tjerët kanë marrë në duart e tyre duart e tij, Vota për të tjerët ka sjellë si rregull më shumë dëme sesa të mira. Dëme tejet serioze krejt të pariparueshme, apo dëme që kanë dashur vite të riparohen. Padyshim që edhe ne nuk e kemi bërë mirë çdo gjë, por asgjë me dëm serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk kemi bërë. Bilanci ynë është pozitiv në raport me të gjitha kontratat tona zgjedhore. Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kudo që zgjedhësit të na e besojnë votën e tyre, ne bëjmë atë që tjerët nuk munden ta bëjnë”, tha Rama.
Nuk kishin si të mungonin sulmet ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës. Rama e ka pranuar se ata i ka përballë, teksa i cilësoi si dy mbetje të së kaluarës që duan të shkatërrojnë vendin. Sipas Ramës, ata duan të marrin peng Shqipërinë. Nga ana tjetër, Rama ka dërguar një mesazh për SPAK që të godasë dyshen opozitare.
“Ata nuk janë më vetvetja, por pengje të së shkuarës së tyre, korrupsionit madhor dhe damkës non grata, të parave ruse dhe kontove bankare të fshehta që kanë nisur të dalin mbi ujë si ato shishhet e anijeve të mbytura. Ata janë i myturi që të mbyt dhe slogani i tyre është: pas nesh të bëhet qameti. Ata duan të marrin peng sa më shumë shqiptarë, për tu thënë ndëkrombëtarve se pa negociuar me ta nuk bashkëpunojnë normalisht me Shqipërinë. Për tu mbrojtur nga drejtësia, që po vonon, por që ka më pak shans që të harrojë”, tha Rama.
Por siç pritej, çelja e fushatës u kthye në show. Pas 10 vitesh në pushtet nuk ka më se çfarë të premtojë dhe Rama sot e karakterizoi fushatën te sulmet dhe “gallata”.
Pas fjalës që mbajti në shesh, ai dhe deputetët me 61 kandidatët mbollën pemë, duke dashur të simbolizojnë se ata do të kontribuojnë në gjelbërimin e vendit. Show tjetër ishte se PS do organizojë fushata të vogla, me argumentin se nuk do të shpenzojë shumë më fushatë. Gjatë mbjelljes së pemëve Rama nuk kurseu batutat, ndërkohë që ra në sy detaji se shumica e atyre që ishin aty nuk kishin prekur lopatë me dorë në jetën e tyre. Ai shkoi te grupet e secilit qark duke bërë foto dhe duke “mashtruar” qytetarët se deputetët dhe ministrat janë në shërbim të popullit.

Lini një Përgjigje