TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Maj 2024, 15:43

“Palët të angazhuara për votën e diasporës”, Celibashi: Propozova administrimin e procesit nga KQZ

Shkruar nga Pamfleti

“Palët të angazhuara për votën e
Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e grupi të dialogut për Reformën Zgjedhore. Grupi i dialogut priti në tryezën e diskutimeve edhe kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi për të diskutuar rreth mundësisë së realizimit të votës së diasporës, rishikimin e strukturës së KQZ dhe depolitizimin e administratës zgjedhore.

Pas takimit Celibashi tha se palët duken të angazhuara për të realizuar votën e diasporës.

“Nëse nuk do të kemi rregullat për votimin nga jashtë brenda këtij sesioni të kuvendit, thuajse me siguri absolute votimi nga jashtë nuk mund të realizohet në vitin 2025. Nga ajo që pashë në këtë format tavoline, duket që palët janë të angazhuara seriozisht. Nuk e di nëse do të prodhojnë rezultat, por duket që ka interes dhe vullnet për një zgjidhje në lidhje për këtë çështje duke e parë nga natyra e pyetjeve”, tha Celibashi.

Më tej Celibashi deklaroi propozimin e tij që KQZ të administrojë procesin, ndërsa shtoi se votimi mund të kryhet në mënyrë elektronike ose nëpërmjet internetit.

“Çështja e afatit ka rëndësinë e vet por ajo që propozova është që të jetë institucioni i KQZ, ai i cili administron kërkesat e atyre votuesve që duan të votojmë jashtë territorit. Gjithë këtë proces ta administrojë KQZ. Nëse do të konsiderohej ideja që propozoj, mendoj që votimi të kryhet ose nëpërmjet internetit ose në mënyrë tjetër elektronike. Nuk mendoj se është votimi me postë si zgjidhja më e mirë për rastin e Shqipërisë. Një ndër opsionet është ai i kombinuar ku fleta dërgohet në mënyrë elektronike", theksoi Celibashi

ilirjan celibashi vota e diaspore

Lini një Përgjigje