Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka zhvilluar ditën e sotme një takim informal me gazetarët, ku është pyetur për dosjen "McGonigal".
Kreu i SPAK për dosjen McGonigal ku ka dalë edhe emri i kryeministrit Edi Rama, tha se po hetohet.
Gjthashtu për këtë hetim, ai tha se kallëzuesit Gazment Bardhi i është kërkuar të ruajë sekretin hetimor.
“Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi patur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”.-tha kreu i SPAK.
Më 24 janar deputeti Gazment Bardhi depozitoi në SPAK një kallëzim për nisje të hetimeve ndaj Kryeministrit Rama për ato që ai i cilësoi si lidhje me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.
Bardhi ka thënë në lidhje me këtë padi se ajo që ka bërë Rama është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Ish agjenti i FBI Charles McGonigal u dënua në gjykatën federale të Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg. Gjykatësja e çështjes tha se zoti McGonigal kishte dëmtuar sigurinë kombëtare duke shpërfillur vazhdimisht sanksionet që synonin të ushtronin trysni ekonomike ndaj Rusisë për të arritur rezultate pa forcë ushtarake. Ai u gjobit gjithashtu me 40,000 dollarë.
McGonigal dhe dosja “shqiptare”
Në fillim të vitit të ardhshëm, McGonigal do të mësojë vendimin e drejtësisë edhe për “dosjen shqiptare”.
Në gjykatën e Uashingtonit, ai të cilin kryeministri Edi Rama e cilësoi “miku im”, akuzohet për fshehjen e një pagese 225 mijë dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj.
Më herët, McGonigal ka pranuar të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Edi Rama dhe këshilltarin e tij jozyrtar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë.
I pyetur nga gjykatësja e çështjes Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”, McGonigal u përgjigj “Po”.
Gjatë seancës McGonigal pranoi se i kishte zhvilluar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.
Lini një Përgjigje