
Këtë të enjte, Nisma Thurje, një grup deputetësh opozitarë si Agron Duka, Dashamir Shehu, si dhe aktorë të shoqërisë civile do të organizojnë takimin e parë publik për të njoftuar nisjen e një fushate për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Kjo fushatë do të kulmojë me thirrjen e një referendumi kombëtar që do të kërkohet paralelisht nga 28 deputetë dhe mbi 50 mijë zgjedhës.
Takimi është i hapur për mediat.
Ekipi i analistëve pranë Open Data Albania ka bërë një Projeksion të ndarjes së Mandateve në Zgjedhjet për Parlament që do të mbahen në 2025. Projeksion është bazuar tek rezultati në qarqe sipas Subjekteve Zgjedhore në votimin për këshilla bashkiak të mbajtur më 14 maj 2023.
Nëse në 2025 shkohet me të njëjtin Sistem Zgjedhor, me të njëjtat Parti pjesëmarrëse dhe votat janë ato të 2023, Partia Socialiste fiton 84 mandate,10 më shumë se në zgjedhjet e 2021. Ky është paradoksi i parë i konstatuar në këtë kalkulim për projeksion. Ndërsa PS ka marrë në 2023 më pak vota se në 2021, formula dhe sistemi i garantojnë më shumë mandate deputetësh.
Prezenca e shumë partive të vogla dhe të fragmentuara pa koalicione para zgjedhore, krijon deformim të përfaqësimit.
Më konkretisht PS ka marrë në 2021 vota 768 134 , ndërsa në këtë proces zgjedhor të 14 majit subjekti PS arriti të marrë për këshilla bashkiak vetëm 579 576 Vota. Pra 24.5% më pak individ kanë votuar PS. Megjithëse me tkurrje elektorale, PS do ja dilte të merrte dhe mandatonte shumicë tre të pestat e Kuvendit. Kjo pasi në zgjedhjet e 14 Majit janë regjistruar 40 Subjekte kundrejt 12 në zgjedhjet e 2021.
Duke aplikuar formulën dhe parashikimin Ligjor të Neni 162 të Kodit Zgjedhor (në fuqi) rezultati i 14 majit, nëse do të ishte proces për zgjedhje parlamentare do të bënte ndarje Mandat Deputeti si vijon:
Partia Socialiste, 84 deputetë, 10 më shumë se 2021.
Bashkë Fitojmë, 34 deputetë. Në këtë subjekt bëjnë pjesë Partia e Lirisë ish LSI drejtuar nga Ilir Meta dhe pjesa e të larguarve nga Partia Demokratike njohur si Foltorja e ish kryetarit zotit Sali Berisha. Po këtu janë edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules dhe Partia Demokristiane kryetar zoti Nard Ndoka. Krahasimi tipik me 2021 nuk është i mundur për këtë Subjekt.
Partia Demokratike Zyrtare me votat e marra në zgjedhjet e maj 2023 në një projeksion 2025 merr vetëm 11 deputetë.
Partia Social Demokrate me kryetar Tom Doshi merr në projeksion 9 mandate, pra 6 më shumë se 2021.
Edhe Partia Agrare Ambientaliste me Kryetar Agron Duka do të merrte 2 mandate.
Parti të tjera edhe pse kanë vota domethënëse në numër, nuk do të merrnin në Zgjedhjet e 2025-ës asnjë mandat. Jashtë kuvendit do të mbetej në një rezultat si ky i 14 majit edhe Arlind Qori i Lëvizja Bashkë apo Endri Shabani i Nismës Thurje.
Lini një Përgjigje