TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Korrik 2025, 19:40

OECD nxjerr zbuluar qeverinë: Strategji kundër korrupsionit ka plot, por asgjë nuk zbatohet!

Shkruar nga Pamfleti

OECD nxjerr zbuluar qeverinë: Strategji kundër korrupsionit ka plot,

Raporti i ri i OECD ekspozon kontrastin mes strategjive në letër dhe realitetit të luftës kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria, ndonëse ka hartuar strategji kombëtare, mbetet e vonuar në zbatim, transparencë dhe përfshirje efektive të aktorëve joqeveritarë...

Një raport gjithëpërfshirës i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i publikuar së fundmi, hedh dritë mbi situatën e luftës kundër korrupsionit në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore. Analiza mbulon 21 vende, përfshirë Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar si progresin në ndërtimin e kuadrit strategjik antikorrupsion, ashtu edhe mangësitë sistemike në zbatimin real të këtyre strategjive.

OECD thekson se “thuajse të gjitha vendet e rajonit kanë miratuar strategji kombëtare kundër korrupsionit dhe kanë rritur përfshirjen e shoqërisë civile”, por paralelisht, “vetëm një numër i kufizuar vendesh kanë aplikuar një qasje të bazuar në analiza reale të rrezikut”. Shqipëria përmendet mes vendeve që nuk kanë zhvilluar një analizë të thelluar të sektorëve më të korruptuar, siç kanë bërë për shembull Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në pikën 1.1 të raportit, OECD evidenton se vetëm Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë përgatitur raporte të plota analitike mbi rreziqet e integritetit publik. Për Shqipërinë, dokumenti ngre shqetësimin se analizat strategjike janë të cekëta dhe jo të bazuara në të dhëna të verifikueshme.

Një tjetër aspekt problematik është transparenca dhe cilësia e konsultimeve publike. Ndërsa 17 vende të rajonit kanë organizuar konsultime mbi draft-strategjitë e tyre, vetëm 7 kanë publikuar të gjitha komentet dhe përgjigjet përkatëse. Shqipëria, ndonëse ka mekanizëm ligjor për konsultime publike, nuk e ka përmbushur plotësisht këtë detyrim. “Vetëm 13 vende kanë përfshirë aktorë të shoqërisë civile në procesin e monitorimit të strategjive, dhe vetëm 7 kanë siguruar transparencë të plotë për komentet e publikut”, thuhet në raport.

OECD nxjerr zbuluar qeverinë: Strategji kundër korrupsionit ka plot,

Për sa i përket zbatimit të strategjive, OECD është kritike: “Nëntë nga 18 vendet e monitoruara kanë zbatuar më pak se gjysmën e aktiviteteve të parashikuara në planin e veprimit kundër korrupsionit”. Për Shqipërinë, raporti thekson mungesën e treguesve të matshëm në raportet vjetore të monitorimit, si dhe mungesën e vlerësimeve të pavarura të impaktit të strategjive.

Në pjesën për “Integritetin në Ndërmarrjet Shtetërore”, OECD e quan shqetësues faktin që vetëm një pjesë e vogël e vendeve ka mekanizma të qarta për përzgjedhjen transparente të anëtarëve të bordeve drejtuese. Shqipëria përmendet si vend ku emërimet në ndërmarrjet publike nuk janë të mbështetura në kritere të qarta merite apo përfaqësim të pavarur.

Një tjetër pikë e dobët për Shqipërinë është mungesa e një institucioni të dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të bizneseve, siç është Ombudsmani i Biznesit, një strukturë që ekziston vetëm në tre vende të rajonit dhe që në Shqipëri mungon totalisht.

Citimi më kritik nga raporti vjen në konkluzionin e OECD: “Ekziston një hendek i madh midis hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre efektiv… Vendet duhet të bëjnë më shumë për të përfshirë indikatorë matës, për të monitoruar zbatimin dhe për të rritur llogaridhënien publike në proceset antikorrupsion”. /Pamfleti

Lini një Përgjigje