TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Shkurt 2026, 12:40

"Nuk marrim përsipër zhvillimin e tubimit"/ Koçiu sqaron deklaratën: Policia nuk ka dhënë leje për protestë

Shkruar nga Pamfleti
"Nuk marrim përsipër zhvillimin e tubimit"/ Koçiu
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka sqaruar deklaratën e Policisë së Tiranës lidhur me protestën e opozitës, e paralajmëruar të zhvillohet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë.

Në një konferencë për mediat, Koçiu konfirmoi se Policia nuk ka miratuar kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e tubimit, duke e lidhur këtë vendim me procedurat e ndjekura pas incidenteve të mëparshme.

Ministrja theksoi se pavarësisht statusit formal të tubimit, strukturat e rendit do të jenë në terren për të garantuar sigurinë publike dhe për të ndërhyrë në rast të shkeljeve të ligjit. Ajo nënvizoi se çdo veprim i paligjshëm gjatë protestës do të trajtohet sipas procedurave përkatëse nga organet kompetente.

"Ne e kemi thënë që protestat janë një e drejtë kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Sa i përket faktit që policia nuk e miratuar zhvillimin e protestës së sotme, kjo është një procedurë që është e lidhur me dy protestat e kaluara. Nga ana tjetër e drejta për të protestuar është e kujdo dhe policia ka për detyrë te ruaje rendin.

Si të jetë një protestë me leje apo pa leje kushdo që kryen një veprim që dënohet penalisht janë organet e tjera që bëjnë klasifikimin e veprës. Kjo nuk ndikon në faktin që kemi një protestë me leje apo pa leje.", tha Koçiu.

Ditën e sotme, Policia e Tiranës njoftoi se, bazuar në analizën e riskut dhe në ngjarjet e regjistruara në protestat e kaluara ku pati persona të maskuar që hodhën bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke shkaktuar dëmtime tek efektivët nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit. Megjithatë, autoritetet kanë bërë të ditur se do të marrin masa për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe kanë paralajmëruar bllokime të përkohshme të disa akseve kryesore në qendër të Tiranës.

 

Lini një Përgjigje