Në orën 18:00 nis tubimi i thirrur nga opozita.
Kreu i PD, Sali Berisha publikoi edhe spotin e protestës dhe paralajmëron përshkallëzim të aksionit politik kundër qeverisë Rama.
Opozita do të dalë sot në protestë para godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar largimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Organizatorët kanë njoftuar se tubimi nis në orën 18:00, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt selisë së qeverisë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi në rrjetet sociale spotin zyrtar të protestës dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në tubim. Në mesazhin që shoqëron videon, ai shkruan: “Kilometri i fundit! Koha për ta rrëzuar narko-diktaturën!”.
Videoja përfshin pamje nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në shkurt 1991 dhe e vendos këtë moment në paralelizëm me situatën aktuale politike, të cilën Berisha e cilëson si “narko-diktaturë”. Në spot shfaqet edhe vetë Berisha, i cili deklaron se, ashtu siç ishte pranë qytetarëve në përmbysjen e regjimit komunist, do të jetë edhe në përballjen me qeverinë aktuale.
Berisha ka deklaruar publikisht se opozita do të vijojë me protesta të njëpasnjëshme deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Lini një Përgjigje