Ndërsa opozita përgatitet për protestën e madhe të kësaj të hëne në orën 18:00 përpara Kryeministrisë, tonet politike po ashpërsohen. Një nga zërat më të drejtpërdrejtë ka qenë Ilir Alimehmeti, drejtues i Departamentit të Shëndetësisë në PD dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të partisë, i cili ka bërë thirrje që protesta të mos mbetet simbolike, por të kthehet në revoltë popullore për largimin e qeverisë.
Në një intervistë në News24, Alimehmeti deklaroi se të gjitha strukturat drejtuese të PS janë të përfshira në skandale që rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe se qeverisja aktuale ka humbur legjitimitetin. Ai bëri thirrje që qytetarët e të gjitha bindjeve politike, përfshirë edhe votuesit socialistë, të bashkohen në protestën e sotme për “të ndalur korrupsionin dhe vjedhjet”.
“Unë nuk besoj tek protestat e thjeshta, por tek protestat e forta. Duhet të ketë një revoltë popullore. Ne e dimë që njerëzve u ka ardhur në majë të hundës me këtë qeverisje, por kjo kërkon demonstrim konkret”, u shpreh Alimehmeti.
Ai ngriti shqetësime të rënda edhe mbi sigurinë publike dhe cilësinë e investimeve, duke deklaruar se jeta e qytetarëve është vënë në rrezik nga skemat korruptive të qeverisë.
Protesta pritet të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një zonë të mbushur me zbukurime festive, të cilat tashmë janë zhvendosur nga Bashkia e Tiranës për të shmangur dëmtime të mundshme. Paralajmërime për tensione kanë ardhur edhe nga Ambasada Amerikane, e cila ka këshilluar personelin e saj të shmangë zonën.
Lini një Përgjigje