TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Dhjetor 2025, 14:17

Protesta e PD dhe mesazhi amerikan përmes Ambasadës

Shkruar nga Pamfleti

Protesta e PD dhe mesazhi amerikan përmes Ambasadës

Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit për informacionet më të fundit...

Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë thirrur një protest kombëtare pasditen e së hënës, ndërsa detajet mbi mënyrën se si ajo do të zhvillohet, mbahen sekret nga selia e demokratëve.

Sali Berisha, kreu i PD-së, i ka drejtuar një thirrje qytetarëve që t’i bashkohen asaj që ai e quajti revoltë të qytetarëve ndaj regjimit të Edi Ramës.

Madje Berisha ka deklaruar se kjo është një betejë që ose do të çojë në rrëzimin e Edi Ramës ose opozita do të shuhet. Me pak fjalë, Berisha në prag të mbajtjes së protestës, ka zgjedhur të ngrejë temperaturat, ndoshta për të bindur militantët e PD-së se ata që do të udhëtojnë nga rrethet drejt kryeqytetit, nuk do të vijnë thjesht për një shëtitje.

Ndërkohë, para Berishës, ishte deputeti Gjin Gjoni që ka dhënë paralajmërime se protesta mund të precipitojë në dhunë, edhe pse ai hoqi përgjegjësinë nga PD dhe e hodhi te qytetarët, që sipas ligjvënësit demokrat janë shumë të revoltuar.

Në anën tjetër, Policia ka publikuar një plan masash, duke bllokuar disa segmente rrugore në Tiranë, sikundër ka angazhuar mbi 1300 trupa policore, përfshi edhe reparte speciale, si RENEA, për garantimin e rendit dhe sigurisë.

Ende nuk ka një informacion se sa orë mund të zgjasë protesta dhe çfarë skenarësh mund të aplikohen nga opozita, por duket se Policia ka marrë masat duke mbledhur informacione, kryesisht nga rrethet, për persona problematikë që mund t’I bashkohen tubimit dhe mund të ndërmarrin akte dhune.  

Një mesazh para protestës është dhënë edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Pavarësisht administratës që drejton Shtëpinë e Bardhë, mesazhi që jepet nga Ambasada e SHBA është pothuajse standard, që ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve amerikanë. Por në dallim nga dy-tre vitet e fundit, Ambasada nuk bën thirrje që protestuesit të sillen paqësisht, ndërsa duhet parë qëndrimi nëse do të ketë akte dhune.  

Ambasada ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, në lidhje me një protestë të paralajmëruar për mbrëmjen e së hënës, më 22 dhjetor 2025, në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, protesta pritet të nisë në orën 18:00 dhe do të zhvillohet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë. Protestuesit pritet të mblidhen në këtë zonë, ndërsa autoritetet parashikojnë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit.

Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime edhe në zona të tjera të Tiranës, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi në lëvizje. Për këtë arsye, personeli i Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë zonën e protestës.

Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit për informacionet më të fundit.

Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. /Pamfleti/



ambasada e shba protesta pd

Lini një Përgjigje