
Opozita ka zbritur sot në shesh kundër qeverisë. Teksa sot kremtohet 33-vjetori i rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha, demokratët dhe aleatët e tyre janë mbledhur para Kryeministrisë duke kërkuar largimin e Edi Ramës.
Ndryshe nga protestat e tjera, në këtë tubim mungon Sali Berisha. Ai ndodhet në arrest shtëpie dhe nuk mund të jetë aty fizikisht, por do të jetë virtualisht. Për këtë arsye kjo protestë ka lidhje dhe me izolimin e tij, pasi prej 50 ditësh Berisha nuk ka asnjë kontakt të afërt me mbështetësit, përveç daljeve në dritare.

Mirëpo sot duket se u vulos divorci mes Ilir Metës dhe Sali Berishës. Në ditën kur “malësori i Tropojës” kishte nevojë për sa më shumë mbështetje, “malësori i Skraparit” është arratisur jashtë vendit. Me këtë protestë Berisha kërkon të tregojë forcën e tij se dhe në arrest e ka pas popullin. Por aleati i tij e la në baltë dhe mund të themi se këtu vuloset divorci mes tyre. Meta ka lëshuar disa herë kunja javët e fundit dhe sot mund të themi se raportet mes tyre janë të ndera.
Fillimisht demokratët u mblodhën para selisë së PD, teksa më pas bashkë me deputetët ata u drejtuan drejt Kryeministrisë aty dhe ku kanë nisur fjalimet.

Luçiano Boçi ka qenë ai që ka hapur protestën e opozitës. Ai u ngjit i pari në podium, ku u shpreh se diktaturat rrëzohen vetëm me reagim qytetar. Sipas tij, godina e Kryeministrisë dhe Kuvendi janë vendet ku bëhen pazare dhe thuren plane kundër qeverisë. Sipas tij, në ato godina u vra e ardhmja dhe u burgos shpresa e shqiptarëve.
“Ajo që na ka sjellë këtu nuk është vetëm historia dhe lavdia e rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, por është e sotmja, është dëshira e qytetarit për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Ai që na ka thirrur në këtë protestë është ai grushti i mbledhur i intelektualit që kamxhikohet nga regjimi, është zemërimi i biznesit të madh dhe të vogël që i ngushtohet laku në fyt nga taksat. Është revolta e të rinjve, është ai fermeri që vajton produktin e vet, është ofshama e atij pensionistit që pret lëmoshën e tij, është ajo drama e qytetarit shqiptar jeta e të cilit është një udhëtim dantesk drejt ferrit. Sot ne vijmë të bashkuar si një zë i vetëm kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Jemi të bashkuar në një qëndresë, duhet të vazhdojmë, të mos gjunjëzohemi dhe të mos dorëzohemi. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe apatinë. Ato mposhten me guximin dhe vendosmërinë tonë”, tha ai. Më pas u vijua me fjalime nga Noka, Bardhi dhe deputetë të tjerë.



Lini një Përgjigje