Ka nisur konstituimi i anëtarëve të Këshillit të ri Bashkiak të Himarës.
Anëtarët në këto momente po bëjnë betimin për të marrë detyrën e re ndërsa situata u tensionua nga mbështetësit e Belerit që kërkonin të futeshin në sallë.
Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i kësaj bashkie më 14 maj, nuk do të betohet si kryetar, kjo pasi GJKKO i rrëzoi kërkesën për të qenë pjesë e betimit.
Mbështetësit e tij kanë kërkuar që ai të jetë në mbledhjen e këshillit bashkiak dhe kërkojnë që punonjësit e bashkisë kur drejtohej nga Jorgo Goro të largohen dhe të pranishëm të jenë vetëm të bashkisë së re.
Kujtojmë se fituesit të zgjedhjeve të 14 Majit, Fredi Beleri nuk iu dha leje që të linte qelinë dhe të bënte betimin si kryebashkiak i Himarës. Ai ndodhet i arrestuar për shitblerje votash.
Megjithatë ai dërgoi një letër nga burgu ku theksoi se 45 ditët në paraburgim nuk e ndryshojnë besimin e tij të thellë tek demokracia, tek të drejtat dhe institucionet duke shtuar se “ky kalvar nuk do të ketë kryqëzim” .
Në Himarë, Partia Socialiste ka fituar 9 mandate në këshillin bashkiak, koalicioni “Bashkë Fitojmë” 7 mandate dhe Partia Demokratike, Partia Social Demokrate, LZHK, AAK dhe MEGA nga 1 mandat.
Fredi Beleri i fitoi zgjedhjet në Himarë me 19 vota më shumë. Ai mori 3840 vota nga 3821 që mori kandidati i PS-së, Jorgo Goro.
Lini një Përgjigje