
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Niko Peleshi ftoi deputetët e opozitës t’i bashkohen dy komisioneve të Posaçme dhe të japin kontributin e tyre.
Gjatë fjalës së tij në sesionin e ri parlamentar, Peleshi tha se disa çështje e kalojnë politikën dhe e tillë është dhe integrimi i Shqipërisë në BE.
Sipas tij, në BE nuk do të integrohet qeveria, por Shqipëria, prandaj është i nevojshëm bashkëpunimi mes gjithë aktorëve politikë.
“Dua të rikonfirmoj frymën tonë të bashkëpunimit, këtu në sallën e Kuvendit dhe në të gjitha komisioniet. Ky vullnet i PS vjen si përpjekje e sinqertë për tu dhënë shqiptarëve ligje më të mira. Ka disa sfida të këtij parlamenti që nuk janë partiake, ato kërkojnë angazhim afatgjatë sepse kanë lidhje me të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë. Në BE nuk do të integrohet qeveria, por Shqipëria dhe shqiptarët, prandaj këtu duhet të përfshihen përfaqësuesit e të gjithë popullit. PS dhe grupi ynë parlamentar do të mbështesin dhe fuqizojnë më tej. Ju ftoj t’i bashkoheni aktivisht punës së dy komisioneve parlamentare në rrugën drejt konsolidimit si shtete Europian. Në këto momente shqiptarët kërkojnë të shohin lidership. Komisioni i Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe ai për dezinformimit, PS shpreson se do të aktivizojë maksimalisht parlamentin”, tha Peleshi.
Lini një Përgjigje