
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se me aferat e tij, kryeministri Rama i ka vënë "flakën" Shqipërisë, duke e varfëruar dhe shpopulluar.
Ai u shpreh gjithashtu se edhe ky sesion i ri do të jetë një deja vu e 11 vite të qeverisjes së Edi Ramës, me shumicën që do të refuzojë të debatojë e votojë ligje që shkojnë në favor të qytetarëve.
Kreu i Grupit Parlamentar tha gjithashtu se Rama i fshihet përballjes për të dhënë llogari njësoj siç ka refuzuar të përballet për përfshirjen e vëllait të tij në trafikun e drogës në Xibrakë.
"Mjafton të shikosh vetëm raportin që Kryeministri ka krijuar më Kuvendin. Refuzon Kuvendin, refuzon të japë llogari, refuzon të përmbush detyrimet kushtetuese për të raportuar, i fshihet opozitës. Është fiks si çdo shkelës i ligjit, që pasi shkel ligjin, i fshihet edhe përballjes për të dhënë llogari. Prandaj dhe Edi Rama ka refuzuar në vazhdimësi të përballet me opozitën në interpelancë dhe jo për çështje periferike, por për çështje ku ai është implikuar drejtpërdrejt. Ka refuzuar të përballet për përfshirjen e vëllait të tij në trafikun e drogës në Xibrakë, ka refuzuar të përballet kur ish-këshilltari i tij, agjenti i shërbimeve sekrete, rumuni Coldea, u përfshi në trafikun e drogës; ka refuzuar të përballet për akuzat që lidhin qeverisjen e tij me krimin e organizuar.
E ndërsa vetë fshihet, ka gjetur një moto të re propagandistike. Përveç “fajin e ka opozita”, tashmë ka shtuar edhe “fajin e kanë deputetët”. Pra fajin nuk e ka ai, as ministrat e tij të korruptuar, por kolegët deputetë, një pjesë e të cilëve të ndershëm, por shpesh të keqpërdorur si kartona për aferat e tij apo oborrit të tij.
E vërteta të ndërtuar kolegë socialist, është që ne jemi betuar që kartonët, do t’i ngremë vetëm për interesat e qytetarëve dhe jo për të kundërtën, siç ndodh tashmë rëndomtë këtu për t’i shërbyer një pakice që, në kurrizin e të ndershmëve, i shërben vetëm pasurimit të kryeministrit apo oborrit të tij. Le të jetë ky sesion mundësia që ju të dëgjoni shqetësimet qëngre opozita në këtë sallë. Ne nuk jemi armiqtë tuaj, dhe ju nuk ka asnjë arsye të certifikoni veten si armiq të qytetarëve shqiptarë. Prandaj në këtë sesion uroj që kartonat si deputetë ti ngremë vetëm për atë që jemi betuar. Për interesin publik, për qytetarët.
Flaka që Edi Rama i ka vënë Shqipërisë do të duhet të marrë fund me votën e shqiptarëve! Ne, si opozita e këtij vendi, kemi detyrimin historik të ndalim të keqen më të madhe që vendi ka pasur pas diktaturës. Në thelb, regjimi i Edi Ramës nuk ndryshon shumë nga ai i Enver Hoxhës. Ai ndërtoi një diktaturë bardh e zi, ky i sotmi ka ndërtuar një diktaturë me ngjyra, në të cilën njerëzit kanë frikë të flasin, nuk ka zgjedhje të lira, nuk respektohet shteti ligjor, nuk ka ekonomi tregu. Na duhet një bashkim i madh me shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë!
Grupi ynë parlamentar, opozita, do të qëndrojë fort për interesat e qytetarëve, në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, me qëllimin e vetëm që shqiptarët të kenë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu", tha Bardhi.
Lini një Përgjigje