TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Janar 2024, 19:37

Nga vota e diasporës, te ndarja e mandateve dhe fushata, zbulohet “pakti” Rama-Basha për Reformën Zgjedhore

Shkruar nga Pamfleti
Nga vota e diasporës, te ndarja e mandateve dhe fushata, zbulohet
Komisioni i reformës zgjedhore

Ja çfarë synon Komisioni i Reformës Zgjedhore të arrijë brenda prillit...

Zbulohet plani i mazhorancës dhe grupit të Lulzim Bashës për Reformën Zgjedhore. Dje u mblodh online komisioni i posaçëm dhe u miratua plani i punës. “Pamfleti” ka siguruar këtë dokument, në të cilin synohet që Reforma Zgjedhore të jetë mbyllur brenda prillit.

Sipas kalendarit, nga data 6-16 shkurt do të ketë seanca dëgjimore me parti politike, OJF vendase dhe organizma ndërkombëtarë në Shqipëri në mënyrë që ata të paraqesin mendime, sugjerime dhe propozime lidhur me Reformën Zgjedhore, bazuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Në periudhën 19 Shkurt – 15 mars 2024 synohet përgatitja nga ana e ekspertëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore në bashkëpunim me ekspertët e OSBE/ODIHR dhe shqyrtimi i propozimeve mbi rekomandimet e tyre në lidhje me këto çështje: Regjistrimi i subjekteve zgjedhore; Regjistrimi i kandidatëve dhe numri i tyre për çdo zonë zgjedhore; Zgjedhësit dhe përgatitja e listës së zgjedhësve; Barazia gjinore për organet e zgjedhura dhe administratën zgjedhore; Shqyrtimi i propozimeve lidhur me implementimin e të drejtës së votës për shtetasit jashtë Republikës së Shqipërisë dhe skemat e mundshme të realizimit të saj (Vendimi nr. 38, datë 09.12.2022 i Gjykatës Kushtetuese); Regjistrimi dhe përgatitja e listës së zgjedhësve me qendrim jashtë Republikës së Shqipërisë; Metodologjia e votimit për zgjedhësit me qendrim jashtë Republikës së Shqipërisë; Administrimi i procesit zgjedhor dhe numërimi i votave për zgjedhësit me qendrim jashtë Republikës së Shqipërisë.

Nga vota e diasporës, te ndarja e mandateve dhe fushata, zbulohet
Kalendari i punimeve

Po në të njëjtën periudhë synohet përgatitja dhe shqyrtimi i propozimeve në lidhje me çështjet: Zona zgjedhore dhe numri i mandateve për çdo zonë; Votimi; Shpërndarja e mandateve (Vendimi nr. 28, datë 30.06.2021 i Gjykatës Kushtetuese).

Pra duket sikur do të ketë një rishikim të numrit të mandateve nëpër qarqe, një hile e përdorur edhe më herët.

Në periudhën 18 Mars – 29 Mars 2024 synohet përgatitja dhe shqyrtimi i propozimeve në lidhje me çështjet: Fushata zgjedhore në mediat elektronike; Financimi i fushatës zgjedhore dhe Raportimi dhe monitorimi i fushatës zgjedhore.

Ndërsa në periudhën 1-10 prill synohet të dilet me një draft konkret.

Mbete të shihet se sa do të realizohen synimet e mësipërme. Drafti është dakordësuar nga dyshja Gjiknuri-Alibeaj dhe anëtarët e tjerë të komisionit. Ndërkohë grupi i Berishës nuk e pranon këtë komision dhe me gjasë mbledhjet do të vijojnë të jenë online. /Pamfleti

Lini një Përgjigje