Partia Socialiste mbajti sot mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, ku në fokus ishte organizmi për zgjedhjet vendore të 2027. Rama ndryshoi disa prej drejtuesve politikë, teksa një pjesë mbajtën fjalën në takim. Përveç transmetimit në media, pati dhe mbledhje me dyer të mbyllur, teksa në media kanë dalë dhe detaje nga fjala e drejtuesve politikë.
Belinda Balluku është shprehur: “Problematikat që kemi identifikuar në fillim në Qarkun e Fierit kanë qënë konfliktet e brendshme, hatërmbetjet dhe mungesa e meritokracisë. Një parti e mbyllur, e përgjumur dhe vështirësi për anëtarësime të reja. Suksesi, puna konstante në terren. Duhet të marrim nga “thesi” i PD që të rrisim kapacitet tona”.
Sipas burimeve të A2CNN, Ulsi Manja ka thënë: “Problematika e Qarkut Lezhë është organizimi i brendshëm i partisë, sidomos në Kurbin ose në Mirditë, edhe pse modelin e kemi në Lezhë, ku Bashkia dhe Partia funksionojnë si një mekanizëm i vetëm. Puna jonë duhet të përqendrohet tek votat e partive të tjera, jo PD, sepse ata janë përqëndruar tek vota familjare dhe e fisit”.
Ndërsa Niko Peleshi mësohet të jetë shprehur: “Anëtarët e partisë që janë të punësuar, në vend që të jenë më aktivët, janë më pasivët. Kryetarët e organizatave janë kthyer si ndërmjetës punësimesh. Duhet të bëjmë më shumë për t’ju dhënë mundësi të rinjve që të emigrojnë apo migrojnë”.
Ndërkohë nesër, në orën 10:00, Edi Rama do të mbledhë drejtuesit politikë në seli.
Lini një Përgjigje