
Rritja e trafikut të drogës në Shqipëri, korrupsioni, por dhe arrestimi i Fredi Belerit janë bërë shqetësim për Uashingtonin.
Senati Amerikan ka diskutuar sot për situatën në Ballkan, por edhe për atë që po ndodh në Tiranë, sidomos për trafikun e drogës, korrupsionin, por edhe arrestimin e Fredi Belerit.
Këshilltari i Lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë raportuar para Komitetit për Punët e Jashtme, mbi problematikat në rajon, por dhe në Shqipëri.
Ata janë pyetur mbi sundimin e ligjit në vendin tonë, por dhe për trafikun e drogës. Ishte senatori Tim Kine, ai i cili pyeti zotin Ecsobar se ka shumë lajme për bandat shqiptare dhe trafikun e drogës në Shqipëri dhe a janë marrë masa për të ndihmuar autoritet shqiptare në luftimin e trafiqeve. Escobar tha se po punohet ngushtë me SPAK. Nga ana tjetër ai tha se korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit ka nxitur trafikun e drogës.
“Korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit ndihmon në trafikun e drogës. Kemi punuar me ta për të shkëmbyer informacione. Jemi të kënaqur që në Shqipëri po shohim formimin e një organi të pavarur (SPAK) për të arritur disa suksese dhe po punojmë me BE për të forcuar këtë organ dhe për të krijuar mundësinë për shkëmbimin e informacioneve”, tha Escobar.
Senatori Kine u ndal dhe te Ballkani i Hapur, duke kërkuar informacione dhe duke shprehur frikën se mos kjo nismë lehtëson trafikun e drogës mes vendeve ballkanike. Por Esobar tha: “Ka bashkëpunim mes shteteve dhe po punojmë që këto vende të bashkohen si anëtare të barabarta nën direktivat e BE. Përkrahim procesin e Berlinit dhe po punojmë që kjo zonë e lirë e tregtisë të mos kthehet në zonë të lirë të drogave. Shqipëria po fokusohet te kapitujt 53 dhe 54 sa i takon integrimit në BE, siç janë lufta ndaj korrupsionit. Janë të fokusuar në këtë çështje”.
Lidhur me Ballkanin e Hapur foli dhe Chollet, i cili u shpreh se përmes Ballkanit të Hapur po lehtësohet tregtia mes vendeve. “Procesi i anëtarësimit në BE nuk është proces i shpejtë. Ata janë të qartë se duhen të përmbushen kushtet. Sa i takon Ballkanit të Hapur po kërkojnë një treg të lirë të përbashkët që të bashkëpunojnë si vende me njëra-tjetrën. 80 për qind të kohës kamionët e kalojnë në kufi”, tha ai.
Por në fund të mbledhjes u ngrit si shqetësim arrestimi i Fredi Belerit. Kryetari i komitetit Bob Menendez u shpreh se ka pasur një ankesë nga Greqia se kandidati i Himarës u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve. Ai kërkoi sqarime nëse Shqipëria po zbaton si duhet ligjin.
Chollet u përgjigj se ka marrë informacione nga Athina dhe po ashtu ka kërkuar të dhëna nga ambasadorja Yuri Kim.
“Ne kemi dëgjuar nga ambasadori grek. Zoti Escobar na ka treguar diçka që ka dëgjuar dhe ja kemi dërguar edhe ambasadës në Tiranë për të kuptuar se çfarë po ndodh atje”, tha ai.
Por Menendez u shpreh: “Është problematike kur diçka bëhet dy ditë para zgjedhjeve”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje