TAGS-AT E JAVËS

Kosova18 Maj 2023, 17:37

Escobar-Chollet raportojnë në Senat për Ballkanin, Menendez rrëzon Asociacionin: Rrezikohet një Republikë Sërbska e re

Shkruar nga Pamfleti

Escobar-Chollet raportojnë në Senat për Ballkanin, Menendez

Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë raportuar sot në Senatin Amerikan sa i takon situatës në Ballkan.

Ata dolën para Komitetit për Punët e Jashtme, ku u përballën me kritika të forta nga kryetari i komitetit Bob Menendez. Ky i fundit deklaroi se dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po ecën në hapa të barabartë.

Menendez tha se presidenti i Serbisë, publikisht ka deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Senatori amerikan tha se ndaj Beogradit nuk po ushtrohet presion, duke shtuar se Vuçiç po vazhdon të përqafojë narrativë nacionaliste, siç është ideja për “Serbinë e Madhe”. Po ashtu ai u tregua kritik për Asociacionin.

“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, si në Bosnjë e Hercegovinë”, paralajmëroi Menendez në nisje të kësaj seance të komitetit.

Chollet, gjatë fjalës hyrëse tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Marrëveshja e Ohrit, sipas Chollet, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet, duke shtuar se SHBA-ja vazhdon t'i inkurajojë palët që t'i zbatojnë zotimet e tyre.

Menendez ngriti pikëpyetje lidhur me vlefshmërinë e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, duke pasur parasysh faktin që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë nënshkruar atë.

“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”, u përgjigj Chollet.

Ai shtoi se për SHBA-në, pavarësisht se marrëveshja nuk është e nënshkruar, ajo është ligjërisht e obligueshme.

Ngana e tij Escobar tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Asociacioni të jetë një lloj Republike Sërpska.

Ai tha se SHBA-ja dëshiron që Kosova të marrë për bazë ndonjë model evropian “që nuk shkel sovranitetin, funksionalitetin apo strukturën kushtetuese” të shtetit.

“Ne duam të shohim që Asociacioni të vendoset nën strukturën kosovare, që ata ta kontrollojnë atë”, deklaroi Escobar. Ai tha se BE-ja veçse ka ofruar disa modele të tilla, që nuk e shkelin kushtetutshmërinë e shteteve.

chollet

Lini një Përgjigje